UBT News

Nesër protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës

Sërish përmes protestës do të kërkohet anulimi i vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për shtrenjtimin e rrymës.

Grupi organizativ i protestës “Asnji cent më shumë” nesër do të kërkojnë edhe nacionalizimin e KEDS-it. Në konferencën për medie, Liridona Sijarina nga kjo organizatë është shprehur edhe se Qeveria është pozicionuar krah kompanive private dhe kundër interesave të qytetarëve. Sijarina tha se rritja e çmimeve është një barrë që ka rënduar jetën e gjithsecilit qytetarë.

“E vetmja kategori e dëmtuar me këtë vendim mbetën qytetarët, të cilët tash e sa kohë po e mbajnë mbi supe barrën e rënduar të të gjithë sektorëve të jetesës së tyre, si me rritje të çmimeve në sektorët tjerë, si me shkallën e lartë të papunësisë tash edhe me rritje të energjisë elektrike”, tha ajo.

Sijarina tha që me vendimin e ZRrE-së të hyrat e lejuara maksimale brenda një viti shkojnë në 447 milionë euro.

“Me vendimin e ZRrE-së të hyrat e lejuara maksimale brenda një viti për kompaninë private KEDS shkojnë në 447 milionë euro. Kësaj kompanie po i rritet fitimi vit mbas viti, ndërsa qytetarëve vit mbas viti po i vështirësohen kushtet e jetesës”, tha Sijarina.

E sipas Sijarinës, Qeveria është duke u bërë garancia kryesore e fitimeve të KEDS-it.

“Në gjithë këtë lojë, Qeveria e Kosovës është pozicionuar në krah të kësaj kompanie private, e kundër interesave qytetare. Madje, Qeveria e Kosovës është duke u bërë garancia kryesor e fitimeve të KEDS-it, duke i kënaqur apetitet e kësaj kompanie me 100 milionë euro subvencione nga paraja publike. Pra, ajo që Qeveria nuk po e bënë të qartë është që ky 100 milionësh është duke u paguar prej taksave tona. Jemi na ata/o që po e paguajnë këtë rritje e zhvatje të KEDS-it, nji herë përmes faturës e një herë prej parasë publike që menaxhohet prej Qeverise së Kosovës”, tha Sijarina.

Megjithëkëtë, ajo ka nënvizuar se protesta nuk ka kurrfarë agjende partiake dhe garanton që do të rreshtohet dhe do t’i mbrojë interesat e qytetarëve.

Exit mobile version