Edhe sivjet, në muajin e parë të këtij viti, Kosova do të mbledhë ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë të fushës së inxhinierisë së trafikut, transportit dhe të sigurisë rrugore.
Për të nëntën herë me radhë Akademia Tempulli, Asociacioni Kosovar i Motorizimit AMRKS dhe Instituti i Sigurisë Rrugore dhe Hulumtimeve në Transport, do të organizojnë konferencën ndërkombëtare me qëllim të provimit të sigurisë rrugore dhe uljes së aksidenteve në trafik.
Konferenca, e cila do të fillojë në orën 10:00, siç është bërë e ditur në njoftim, do të zhvillohet në frymën e Dekadës së Veprimit për Sigurinë Rrugore 2021-2030, si kontribut shtesë i përmirësimit të sigurisë rrugore, rrjedhimisht parandalimit të aksidenteve rrugore.
Konferenca e sivjetme do të zhvillohet në dy panele të zgjeruara, me 16 folës nga vendi, rajoni dhe Evropa. Pjesëmarrës në këtë konferencë, përveç institucioneve vendore nga niveli qendror dhe lokal, do të marrin pjesë Policia e Kosovës, ekspertë të fushës, hulumtues të rinj, profesor dhe studentë.
Nga institucionet ndërkombëtare do të marrin pjesë IRU Academy me seli në Gjenevë, Zvicër, Këshilli Evropian i Sigurisë së Transportit ECTS, me seli në Bruksel, Belgjikë, Federata Ndërkombëtare e Rrugëve IRF, me seli në Gjenevë, Zvicër, Programi Ndërkombëtar për vlerësim të rrugëve iRAP, me seli në Bruksel, Belgjikë, profesor nga Universitetet publike të shkencave teknike nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Greqia.
Konferenca do të mbështetet nga Byroja Kosovare e Sigurimit BKS.