Ministria e Shëndetësisë njofton se nesër fillon vaksinimi i qytetarëve të moshës mbi 85 vjeç. Vaksinimi i kësaj grupmoshe do të bëhet fillimisht në Prishtinë (salla “1 Tetori”), dhe në komunat: Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë dhe Vushtrri dhe në të gjitha komunat e tjera ku ka filluar vaksinimi kundër COVID-19.
Vaksinimi bëhet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (Njësia e vaksinimit) në komunat e lartpërmendura, me përjashtim të Prishtinës, ku vaksinimi bëhet në sallën “1Tetori”.
Ndërsa për grupmoshën nga 80-84 vjeç, vaksinimi nis me datën 11 prill 2021, në të njëjtat vende të vaksinimit dhe në të gjitha QKMF-të e komunave të tjera, ku do të fillojë vaksinimi kundër COVID-19.
“Personat e këtyre grupmoshave, do të kontaktohen për vaksinim përmes telefonit, bazuar në të dhënat e plotësuara përmes aplikimit në ekosova.rks-gov.net, ku mundësia e aplikimit është ende e hapur”, thuhet në njoftimin e MSh-së.