Të martën fillon procesi i vaksinimit antiCOVID në Kosovë. Kështu ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në takim virtual me Këshillin e Kryetarëve të Komunave në lidhje me koordinimin dhe procesin e fillimit të vaksinimit pas arritjes së kontigjentit të parë të vaksinave antiCOVID.
Sipas njoftimit, vaksinimi do të të fillojë nesër në Klinikën Infektive dhe sallën “1 Tetori”, kurse në komuna të enjten ose premten e kësaj jave.
“Me arritjen e kontigjentit të parë të vaksinave, të parët që do të fillojnë të vaksinohen do të jenë personeli shëndetësor të cilët janë në vijë të parë të frontit dhe personat mbi moshën 80 vjeçare me sëmundje kronike më të mëdha”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Ministri Vitia në këtë takim kërkoi që të kenë një bashkëpunim sa më të mirë rreth menaxhimit me pandeminë, ku kërkoi nga komunat që të vazhdojnë të punojnë në respektim të masave të cilat janë fuqi. Ai poashtu tregoi që është duke u bërë një vlerësim i përgjithshëm i situatës epidemiologjike në vend, të cilën janë duke e bërë së bashku me ekspertët shëndetësorë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe për çfarëdo ndryshim të masave që mund të ketë, do ta bëjnë në bashkëpunim me komunat.
“Në anën tjetër, kryetarët e komunave në këtë takim u shprehën të gatshëm që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe koordinimin sa më të mirë me Ministrinë e Shëndetësisë rreth procesit të fillimit të vaksinimit, por dhe sfidave të tjera me të cilat janë duke u ballafaquar komunat. Në këtë takim kryetarët e komunave kanë adresuar disa probleme me të cilat janë duke u ballafaquar në komuna, e që janë: mungesa e stafit shëndetësor, problemet me furnizim me barna nga listat esenciale si dhe probleme të natyrave të ngjashme të cilat i kërkuan nga ministri që të adresohen sa më parë nga ana e ministrisë”, thuhet më tej.
Në fund të këtij takimi iu kërkua ministrit Vitia që të shqyrtohet kërkesa e bërë nga komunat për një sasi të testeve rapide prej 100 mijë teste, e cila është adresuar nga komunat dhe presin të marrin një përgjigje nga ana e Ministrisë./UBTNews