Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të organizojë një drekë pune me liderët e Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar agjendat e reformave, që janë parakusht për të nisur pagesat e para nga Plani i Rritjes.
Për këto agjenda pëlqimin duhet ta japin shtetet anëtare të Bashkimit Evropian si dhe komiteti i instrumenteve të paraanëtarësimit. Akoma po synohet që pagesat të nisin gjatë vjeshtës, por në Komisionin Evropian nuk ka datë të qartë kur shtetet në fjalë mund të përfitojnë nga këstet e para.
“Nëse kemi opinion pozitiv, atëherë sigurisht që Komisioni do të vazhdojë më pas miratimin zyrtar të agjendave të reformës. Dhe ne do të lidhnim gjithashtu marrëveshje lehtësirash dhe kredie me secilin nga përfituesit, padyshim përpara se të nisin pagesat e para. Sa i përket kohës, ne padyshim do të donim që kjo të ndodhë sa më shpejtë që është e mundur por ne nuk mund të jemi më konkretë në këtë faze”, tha Ana Pisonero zëdhënëse e KE-së.
Në këtë drekë pune, shtetet e rajonit do të përfaqësohen nga kryeministrat, pos Serbisë e cila do përfaqësohet nga presidenti.
Plani i rritjes është pakoja më ambicioze për rajonin në shumë prej 6 miliard eurosh me qëllim të dyfishimit të ekonomive ne dhjetëvjeçarin e ardhshëm.
Kosova ishte shteti i parë që dorëzoi agjendën e reformave në Bruksel.
Sipas një përllogaritje jozyrtare, vendi mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, të ndara në formë të parave pa kthim dhe kredive të volitshme.
Llogaritja për shumën financiare që do e merr secili shtet, bazohet në Bruto Prodhimin Vendor dhe numrin e banorëve.