Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpallur të mërkurën ditë zie në Kosovë për viktimat e tërmetit në Turqi e Siri.
Osmani tha se një tragjedi e përmasave shkatërrimtare që ka shkaktuar trishtim e dhimbje kudo në botë, përfshirë në Kosovë.
“Përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje. Dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona. Prandaj, bazuar në kompetencat kushtetuese e ligjore, në shenjë respekti shtetëror e qytetar, ditën e mërkurë, 8 shkurt 2023 e kam shpallur Ditë Zie Shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmeteve të datës 6 shkurt 2023 me epiqendër në Turqi, i cili la mijëra të vdekur e të lënduar. Teksa kujtojmë viktimat, nderojmë trimërinë dhe qëndresën e atyre që po bëjnë të pamundurën për shpëtimin e çdo jete nën rrënoja”, thuhet më tej në njoftim.
Presidentja Osmani ka theksuar se fuqia shkatërruese e këtij tërmeti ka tronditur zemrat e gjithsecilit, porse mbështetja ndaj njëri-tjetrit në këto ditë tmerri ngjallë shpresën dhe besimin se jeta do të triumfojë.