Rrugëtimin si misionare, Nënë Tereza e ka nisur në kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën 17-vjeçare. Dy vjet më vonë, ka udhëtuar drejt Indisë. Në vitin 1950, krijoi urdhrin e saj Misionaret e Bamirësisë, që edhe sot udhëheq shtëpi për fëmijë të braktisur, njerëz të varfër dhe të sëmurë.
“Njerëzit që nuk kanë asgjë, që nuk i do askush, që janë bërë barrë mbi shoqërinë, që kanë harruar çfarë është dashuria… për ne, ata janë njerëz të Zotit”, – ka thënë Nënë Tereza.
“Nëse nuk mund të ushqesh 100 vetë, të paktën ushqe vetëm një”, – është tjetër porosi e saj, për njerëzit.
Dhembshuria, sakrifica dhe përkushtimi ndaj njerëzve në nevojë i kanë sjellë Nënë Terezës Nobelin për Paqe, në vitin 1979. Ajo, po ashtu është nderuar nga shumë udhëheqës të botës. Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan, i ka dhënë Medaljen Presidenciale të Lirisë, ndërsa Mbretëresha Elizabeth e Britanisë, Urdhrin e Meritës.
Humanistja e madhe me origjinë shqiptare, ka qenë armike e betuar e ndëshkimit kapital dhe kundërshtare e fuqishme e abortit, duke e cilësuar si “minuesin e paqes”.
Kur Nënë Tereza takuar kryeministren e Indisë, Indira Gandhi, për të kundërshtuar një program sterilizimi, që do të frenonte rritjen e popullsisë indiane, ajo është shprehur e mahnitur: Të takosh Nënë Terezën, do të thotë të ndihesh krejtësisht e përulur.
Figura e saj e pashembullt është motiv frymëzimi për njerëzit në mbarë botën, me episodet nga më të të ndryshmet. Po shkëpusim një fragment, nga libri me autor Leo Maasburg, “Nënë Tereza, histori magjepsëse”:
Historia e parë
Unë nuk do ta harroj kurrë, sesi dy të rinj para shumë kohësh erdhën në shtëpinë tonë dhe më dhanë një shumë të madhe parash. Unë i pyeta: ‘Ku i keni marrë të gjitha këto para?’. Më thanë: ‘Ne jemi martuar para dy ditësh. Para se të martohemi, kishim vendosur, që mos të blejmë rroba martese. Ne nuk bëmë dasmë. Paratë e dasmës jua japim Juve.’ Unë e di saktësisht, se ç’do të thotë në vendin tonë, në një familje hindu, të mos blesh rroba martese dhe të mos bësh dasmë. Prandaj i pyeta përsëri: ‘Po, përse? Përse vepruat kështu?’ Ata thanë: ‘Ne e duami njëri-tjetrin aq shumë, sa që gëzimin e dashurisë duam ta ndajmë me njerëzit, të cilëve ju u shërbeni.’ Si e përjetojmë ne gëzimin e dashurisë? Si e përjetojmë ne këtë? Tek japim, derisa dhemb.
Historia e dytë
Para se të shkoja në Etiopi, në Kalkutë erdhën disa fëmijë të vegjël tek unë. Ata kishin dëgjuar, se do të shkoja atje. Kishin ardhur, sepse kishin dëgjuar nga motrat, që fëmijët në Etiopi vuanin shumë. Ata vinin dhe secili prej tyre jepte diçka, disa edhe ato pak para që kishin. Një djalosh i vogël, erdhi tek unë dhe më tha: ‘Unë nuk kam asgjë, nuk kam para, thjesht nuk kam asgjë. Por, kam këtë copë çokollatë. Ndaj, ti merre me vete dhe jepua fëmijëve në Etiopi!’
Ky djalosh i vogël dashuronte me shumë dashuri, sepse ai mbase, për herë të parë në jetën e vet, mbante një copë çokollate në dorë dhe e dha atë. E dha plot gëzim, për ta ndarë me të tjerët, për ta zbutur sadopak dhimbjen e dikujt tjetri, në Etiopinë e largët. Ky është gëzimi i dashurisë: të japësh, derisa të dhemb. I dhembte Krishtit, që na donte ne, sepse ai vdiq në kryq, për të na mësuar ne sesi duhet të duhemi. Kjo është rruga, sesi duhet të duami edhe ne: deri në dhembje.
Burimi: KultPlus