Nëntë persona vdiqën të premten, kur një zjarr shpërtheu në repartin e kujdesit intensiv në një spital për COVID-19 në Rumani, thanë zyrtarët. Ky ishte zjarri i tretë vdekjeprurës në një spital të Rumanisë për më pak se një vit.
Zjarrfikësit i shuan flakët në spitalin e qytetit lindor, Constanta, rreth orës 08:00 të mëngjesit, pasi morën përforcime me ekipe nga rajonet përreth, shkruan Reuters.
Në disa pamje shihen pacientë duke kërcyer nga dritaret në katet më të ulëta të ndërtesës së spitalit dhe zjarrfikës duke nxjerrë njerëz jashtë.
Ministri i përkohshëm i Shëndetësisë, Cseke Attila, tha se 113 pacientë ndodheshin në spital në kohën e zjarrit, përfshirë dhjetë në repartin për kujdes intensiv.
Ndryshe, Rumania të enjten regjistroi rekord të rasteve ditore me COVID-19, 12 mijë e 32. Repartet e kujdesit intensiv në mbarë vendin po mbesin me pak shtretër të lirë pas rritjes së shifrës së rasteve.
Rumania e ka shkallën e dytë më të ulët të vaksinimit kundër COVID-19 nga 27 shtetet e Bashkimit Evropian.