U zhvillua një takim bilateral ndërmjet Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore (Ndërtimtari) dhe Infrastrukturë në UBT, Prof. Dr. Sc. Visar Krelani dhe Drejtorit të Drejtorisë për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, me ç’rast u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi që synon forcimin e lidhjeve ndërmjet këtyre dy institucioneve.
Marrëveshja e bashkëpunimit ka për qëllim krijimin e mundësive të reja për avancimin e studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturë në të dyja nivelet e studimit, duke përfshirë ndjekjen e praktikave profesionale në objektet dhe mjediset e punës të menaxhuara nga Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave.
Në këtë takim morën pjesë edhe profesori Hazir Çadraku, profesoresha Blertë Retkoceri dhe ish-studenti i UBT-së, Driton Ibrahimi.
Përmes këtij bashkëpunimi, do të mundësohet realizimi i aktiviteteve, projekteve dhe nismave të tjera që lidhen me misionin dhe objektivat zhvillimore të të dy institucioneve, duke kontribuar në zhvillimin profesional të studentëve dhe në përmirësimin e infrastrukturës lokale.
Ceremonia e nënshkrimit u shoqërua me diskutime frytdhënëse për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Ky hap i rëndësishëm dëshmon përkushtimin e përbashkët të UBT-së dhe Komunës së Prishtinës për investimin në edukim dhe zhvillimin profesional të gjeneratave të reja./UBTNews/