UBT News

Nënshkruhet marrëveshja prej 80 milionë euro, vlerësohet me rëndësi për mbrojtjen e ajrit

Është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjeve të Huas dhe Grantit për Projektin “Solar për Kosovën – Ngrohje Qendrore”, në vlerë prej 80 milionë euro. Nga të pranishmit u vlerësua se projekti do të ketë ndikim në ruajtjen e ajrit.

Për këtë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, e quajti projektin shumë të rëndësishëm. Sipas tij, ky projekt dëshmon përkushtimin e Qeverisë për të ngritur kapacitetet për prodhim të energjisë në harmoni me agjendën e gjelbër të Bashkimit Evropian.

“Ky projekt është i rëndësisë së veçantë për vendin tonë duke pasur parasysh nevojën për diversifikim të burimeve të ripërtrishme të energjisë në vend sidomos në sferën e ngrohjes qendrore si një nga konsumuesit më të mëdhenjve të energjisë në vendin tonë. Ky projekt është i pari në rajon, i cili përdor masë të madhe energjinë diellore për ngrohje të shtëpive dhe si i tillë e dëshmon përkushtimin e Qeverisë për të ngritur kapacitetet për prodhim të energjisë në harmoni me agjendën e gjelbër të Bashkimit Evropian dhe nën kornizën e strategjisë për energji të cilën sapo e kemi miratuar edhe në Qeveri”, deklaroi ai.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se projekti do të ketë ndikim afatgjatë, duke sqaruar se BE-ja do të sigurojë 75 milionë euro mbështetje.

“Ky projekt nuk është vetëm për mjedis e sigurimin e energjisë, prandaj Bashkimi Evropian e mbështet edhe Kosovën me këto projekte. Ne po ashtu po mundësojmë që të pastrojmë furnizimin me energji sidomos tani që ka ndikuar agresioni rus në Ukrainë. Këto projekte do të ketë ndikim afatgjatë. BE-ja mundëson 75 milionë euro mbështetje buxhetore për Kosovën”, deklaroi ai tutje.

Matthias Cornard, zëvendësambasador i Gjermanisë, tha se shteti i tij është përcaktuar ta ndihmojë Kosovën në rrugën për furnizim me energji të qëndrueshme e të gjelbër.

“Kam kënaqësinë që të përfaqësoj sot Gjermaninë në marrëveshjen financiare për këtë projekt për Kosovën. Është lajm shumë i mirë për një hap përpara.  Është mirë për këtë fundivit dhe kërkesë shumë e madhe dhe i përgëzoj gjithë partnerët kosovarë dhe ndërkombëtarë për këtë bashkëpunim. Gjermania është përcaktuar me i ndihmuar Kosovës në rrugën për energji të qëndrueshme dhe në bazë të agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.

Pablo Obrador-Alvares, shef i Energjisë për Evropën dhe Lëvizshmërisë në Evropën Juglindore, tha se po e sjellin teknologjinë e re në Kosovë.

“Ne kemi punuar me këtë projekt në 3 vitet e fundit me BERZh-in dhe e dimë që nuk ka qenë e lehtë, të gjithë e dimë po e ndajmë këtë projekt me Qeverinë e Kosovës dhe me kolegët e BERZh-it dhe të tjerë të Bashkimit Evropian. Ky projekt është i rëndësishëm për qytetin e Prishtinës dhe rajonin dhe për tërë Evropën që po sjell teknologjinë e re që nuk ka qenë më parë”, deklaroi ai.

Exit mobile version