Në qytetin e mençur të UBT-së në Lipjan është nënshkruar marrëveshja për programin e dyfishtë bachelor “Ekonomia në anglisht” nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe nga Rektori i “University of National and World Economy” (UNWE) në Bullgari, Prof. Dr. Dimitar Dimitrov, në prani të ambasadorit bullgar në Kosovë, Hristo Gudzhev.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e UBT-së morën pjesë profesori Bekim Marmullaku dhe dekani i Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, Prof. Muhamet Gërvalla dhe koordinatorja e programit, Asoc. Dr. Kamelia Asenova.
Marrëveshja e nënshkruar mes UBT-së dhe UNWE-s konfirmon vlerësimin e lartë për cilësinë e programeve dhe kurseve të ligjëruara në UBT. Programi i ri i dyfishtë bachelor “Ekonomia në anglisht” korrespondon me synimet e UBT-së për të përhapur në Kosovë praktikat më të mira ndërkombëtare dhe standardet e cilësisë në arsim.
Programi i ri i dyfishtë bachelor ndërmjet UBT-së, dhe UNWE-s do t’u ofrojë studentëve nga të dyja vendet njohuri dhe shkathtësi moderne që do t’u japin kompetenca shtesë studentëve të diplomuar. Ata do të marrin një diplomë të dyfishtë – nga UBT dhe UNWE, e cila do t’u japë mundësinë e përfshirjes në tregun e përbashkët evropian.
“Ekosistemi UBT ndërthur arsimin, kërkimin dhe industrinë. Universiteti punon në mënyrë aktive edhe me arsimin parauniversitar, do të thotë me shkollat. Marrëveshja e nënshkruar ofron mundësi të reja për studentët tanë nga Fakulteti i Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë”, tha rektori Hairizi.
Rektori i UNWE-s, Prof. Dimitar Dimitrov, shpjegoi se universiteti me kënaqësi do të transferojë përvojën në UBT dhe anasjelltas, duke ofruar zgjidhje të problemeve ekonomike në të dyja vendet.
“Në të njëjtën kohë, ne gjithashtu kemi shumë për të mësuar nga ajo që ka arritur UBT. Bullgaria dhe Kosova kanë afërsisht të njëjtat probleme ekonomike. Dhe njohja e mirë e dy ekonomive, marrëdhëniet e mira mes kolegëve nga të dy vendet, do të lejojnë gjetjen e zgjidhjeve optimale ekonomike”, u deklarua rektori Dimitrov.
UBT është një institucion modern dhe lider i arsimit të lartë në Kosovë, i përkushtuar për të aplikuar metodologjitë dhe teknikat më të fundit të mësimdhënies, qasjet bashkëkohore të mësimdhënies dhe kërkimit në një mjedis gjithëpërfshirës, të orientuar drejt studentëve, duke aplikuar një qasje multidisiplinare që do të kontribuojë në aspektin ekonomik, social dhe zhvillimin kulturor të Kosovës.