Për të përkrahur ristrukturimin e brendshëm të Telekomit të Kosovës, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, së bashku me kryeshefen e Telekomit, Burbuqe Hana, kanë nënshkruar sot marrëveshjen për transhin e dytë të kredisë investive me vlerë 15 milionë euro.
Në komunikatë thuhet se kjo marrëveshje synon të vazhdojë investimet në teknologjinë e pajisjeve dhe sistemeve telekomunikuese të Telekomit të Kosovës duke mundësuar kështu ofrimin e shërbimeve më të shpejta dhe cilësore për institucionet dhe qytetarët tanë.
“Përveç kësaj, marrëveshja gjithashtu ka për qëllim të garantojë qëndrueshmërinë financiare të kësaj ndërmarrjeje me interes publik që operon në sektorin e komunikimit si një nga sektorët kyç ekonomikë”, thuhet në njoftim.
Sipas komunikatës, marrëveshja e nënshkruar sot është vetëm një nga veprimet e ndërmarra nga MFPT për të përkrahur financiarisht Telekomin e Kosovës. Kujtojmë se në qershor të vitit të kaluar MFPT ofroi mbështetje financiare me vlerë 7.7 milionë euro për uljen e shpenzimeve operative të kësaj ndërmarrjeje, ndërsa në dhjetor të po të njëjtit vit, MFPT aprovoi transhin e parë të kredisë investive me vlerë 5 milionë euro. Pra, në një periudhë dy vjeçare, mbështetja financiare ofruar Telekomit të Kosovës tashmë ka tejkaluar vlerën prej 27 milionë euro.
Ky investim në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve nga Telekomi i Kosovës rikonfirmon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për kthimin e ndërmarrjeve publike në një qendër të rëndësishme të zhvillimit ekonomik në vend.