UBT News

Nënshkruhet marrëveshja Kosovë – Mali i Zi për Shërbime Ajrore

Kryeministri Albin Kurti dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq kanë nënshkruar marrëveshjen bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.

Abazoviq dhe delegacioni që e shoqëron, para takimit me Kurtin u prit nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili ia dhuroi “Çelësin e Prishtinës”.

Abazoviq ka mbërritur në Prishtinë gjatë së enjtes dhe vizitoi objektet fetare e kulturore, përfshirë Xhaminë e Çarshisë në Prishtinë si dhe Katedralen Nënë Tereza.

Kryeministri i Malit të Zi gjithashtu takoi edhe ish-presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në vijim të vizitës së tij, që pritet të mbyllet të shtunën, Abazoviq ka paralajmëruar takim edhe me drejtues të partive politike parlamentare. Ai do të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Po ashtu, Abazoviq do të takojë zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, grupin multietnik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe ministrat nga komunitetet jo shumicë.

Exit mobile version