Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka nisur edhe një nismë të re.
Atifete Jahjaga ka njoftuar të enjten se ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rode për hapjen e muzeut të parë për gratë dhe burrat e dhunuar në Kosovë.
“Së bashku me Ambasadorin Gjerman në Kosovë Z. Rohde nënshkruam sot në zyret e Fondacionit Jahjaga marrëveshjen e bashkëpunimit për hapjen e Muzeut të parë për Gratë dhe Burrat e Dhunuar në Kosovë”, ka shkruar ish-presidentja Atifete Jahjaga në profilin e saj në rrjetin social Facebook.
Atifete Jajaga ka thënë se qëllimi i kësaj nisme është që të rritet vetëdija e përgjithshme e popullit dhe të luftohet stigma e cila i rrethon të mbijetuarit.
“Çështja e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë është një ndër plagët më të rënda të tërë vendit, andaj qëllimi ynë kryesor është të rritet vetëdija e përgjithshme e popullit dhe të luftohet stigma e cila i rrethon të mbijetuarit. Ashtu siç u kam premtuar që nuk do lë gurë pa lëvizur derisa drejtësia të gjejë vend u premtoj që çdoherë do jem pranë tyre. Nuk ka paqe të qëndrueshme pa drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë”, ka shkruar Atifete Jahjaga./UBTNews/