UBT News

Nënshkruhet marrëveshja 2.5 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, shefi i Zyres të BERZh në Kosovë, Sergiy Maslichenko dhe Sekretari Gjeneral i Hidromoravës Agim Smillaku kanë nënshkruar të enjten marrëveshjen e grantit prej 2.5 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan.

Më saktësisht, granti përfshin 1 milion euro për zgjerimin e rrjetit të ujërave të zeza, ndërsa 1.5 milionë euro për ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza.

“Projekti për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan kap vlerën totale prej afro 23.5 milionë euro, për të cilat tashmë është siguruar financimi. Implementimi i projektit është në fazën përgatitore dhe deri në fund të vitit pritet të fillojnë punimet në terren”, ka shkruar ministri Murati në Facebook.

Sipas këtij njoftimi, nënshkrimi i kësaj marrëveshje është tejet me rëndësi për regjionin e Anamoravës, pasi që përforcon kapacitetet e KRU Hidromorava dhe përmirëson kushtet e ambientit përmes trajtimit të ujërave të zeza për rreth 76 mijë qytetarë.

Exit mobile version