Është nënshkruar sot projekti për “pastrimin e minave në komunat e Mitrovicës dhe Graçanicës”, në kuadër të grantit të Asistencës së Japonisë, për projektet e sigurisë njerëzore bazike (GGP), i cili do të sigurojë kushtet e jetesës së 976 banorëve në ato zona.
I njëjti, do të promovojë edhe zhvillimin ekonomik të dy rajoneve duke u mundësuar komuniteteve të kenë akces në tokat bujqësore dhe kullota. Totali i përfituesve të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, pritet të arrij në më shumë se 17 mijë persona.
Kontrata, është nënshkruar nga Keisuke Yamanaka nga Ambasada e Japonisë në Kosovë dhe drejtori për Kosovë nga Norwegian People’s Aid, Claus Nielsen, i cili ishte partner zbatues i projektit.
Yamanaka, tha se qëllimi i këtij projekti është që Kosova të mbetet pa mina tokësore deri në vitin 2030.
Sipas tij, ky është ndër projektet më të mëdha që GGP ka mbështetje në Kosovë.
Ai, shtoi se do pastrohen 12.13 hektarë në fshatin Bajgorë në Mitrovicë dhe 4.35 hektarë në Livagje të Graçanicës.
“Kontrata e grantit arrin vlerën e 198 mijë euro. Ky është ndër projektet më të mëdha që GGP e ka mbështetur në Kosovë, në kuadër të kësaj skeme. Për këtë projekt, Do të punohet në minat e mbetura, në mbetjet e municioneve thërrmuese, ku do pastrohen 12.13 hektarë në fshatin Bajgorë në Komunën e Mitrovicës dhe 4.35 hektarë të fshatit Livagje në Komunën e Graçanicës. Qëllimi është me i përmirësu kushtet e jetesës së banorëve të zonave. Numri i përgjithshëm i përfituesve arin deri në 17 mijë njerëz apo 976 banorë në zona specifike ku do të ketë ndërhyrje. Qëllimi është që Kosova të jetë pa mina deri në vitin 2030”, tha ai.
Ndërsa drejtori për Kosovë nga Norwegian People’s Aid, Claus Nielsen shtoi se kjo do të jetë një arritje shumë e madhe për planin që ka Kosova drejt pastrimit të minave.
“Përmes këtij projekti pritet që përmes punës së Norwegian People’s Aid, të jemi në gjendje të kompletojmë një pjesë shumë të madhe të mbetjeve të minave të papastruara. Do të jetë një arritje shumë e madhe për planin që ka Kosova për pastrimin e minave edhe një komunë tash e tutje do të jetë pastër prej mbetjeve të minave”, shtoi Nielsen.
I pranishëm ishte edhe drejtori nga Qendra Koordinuese për Deminim nga ministria e Mbrojtjes, Ahmet Sallova i cili vijoi se çdo bashkëpunim e çon Kosovën më afër zhvillimit më të mirë.
“Nuk është me rëndësi vetëm fizikisht të largohet rreziku, por jepet mundësia që të zhvillohet për komunitetet. Çdo partneritet e bashkëpunim na bjen çdo ditë më afër zhvillimit më të mirë të Kosovës”, vijoi Sallova.
Ky projekti i ka kushtuar Ambasadës së Japonisë ne Kosovë 198 mijë euro.