Sot u nënshkruan dy marrëveshje të grantit në kuadër të projektit “Energjia Efiçiente në Ndërtesat Publike në Prizren”, me vlerë totale prej 1 milion euro.
Sipas një njoftimi të ministrisë së Financave, projekti në fjalë parasheh rindërtimin, rehabilitimin dhe renovimin e rreth 100 ndërtesave publike, përfshirë qendra të mjekësisë familjare, çerdhe dhe shkolla, me qëllim të garantimit të kushteve më të përshtatshme për qytetarët dhe punonjësit që shfrytëzojnë këto hapësira publike si dhe kontribuar në kursimin e energjisë.
“Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, Drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, z. Sergiy Maslichenko, dhe Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, z. Kujtim Gashi. Gjatë këtij takimi, u nënshkrua marrëveshja e grantit ndërmjet BERZH dhe MFPT, si dhe marrëveshja e nëngrantit, e cila parashikon kalimin e fondeve në Komunën e Prizrenit për zbatimin e projektit në fjalë”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se marrëveshjet e nënshkruara sot vijnë pas një marrëveshjeje të ratifikuar vitin e kaluar për të njëjtin projekt, e cila kishte një vlerë prej 5 milionë eurosh.
“Pra, duke e bërë vlerën totale të marrëveshjeve 6 milionë euro”, përfundon njoftimi./UBTNews/