Nënkryetari i Komunës në Mitrovicë të Jugut, Arian Tahiri, gjatë një interviste ka bërë të ditur se viti i kaluar për Komunën e Mitrovicës ka qenë sfidues për shkak të obligimeve financiare të trashëguara, ku si pasojë është dashur të paguhen mbi 6 milionë euro borxhe, ndërsa tani thotë se situata është menaxhuar dhe se kjo komunë është duke operuar me buxhetin pa ngarkesa.
Sipas tij, sfidë e tanishme mbetet realizimi i të hyrave nga Drejtoria e Urbanizmit, për çka shpreson se edhe kjo gjendje do të tejkalohet shpejt, pas finalizimit të procesit të hartave zonale.
Në lidhje me zërat se mandatin e ardhshëm Tahiri mund të jetë kandidat për kryetar komune nga radhët e PDK-së, 29-vjeçari nuk ka dashur të flasë shumë, duke thënë se është nderi më i madh që mund ta ketë ndonjëherë në jetën e tij, mundësia që në moshën e tij t’i shërbejë qytetit dhe qytetarëve të Mitrovicës.
“Vitin e kaluar kemi arritur që të paguajmë mbi 6 milionë euro borxhe të trashëguara dhe këtë vit jemi pa obligime dhe jemi duke promovuar me buxhetin të cilin e kemi pa ngarkesa dhe duke i realizuar pagesat në kohë për të gjithë operatorët… Pra, viti i parë ka qenë sfidues për shkak të obligimeve, ndërsa tash veç është menaxhuar, është rregulluar, janë paguar dhe tani nuk ka komplikime dhe probleme të natyrës çfarë kemi pasur vitin e kaluar… Tash është një sfidë tek realizimit i të hyrave nga Drejtoria e Urbanizmit, mirëpo pasi të finalizohet procesi i hartave zonale, pres që të shpërthehet edhe ajo pjesë dhe do të performohet në mënyrë të shkëlqyeshme”, thotë ai.
Sipas tij, tashmë zonat strategjike në Mitrovicë kanë marrë drejtim pozitiv.
“Është e rëndësishme të theksohet se i kemi dhënë drejtim pozitiv zonave strategjike çdo herë duke gërshetuar kërkesat dhe interesat e qytetarëve, që të krijohen horizonte dhe perspektivë e qytetit të Mitrovicës, si te banimi kolektiv edhe te banimi individual, të ruhen zonat e gjelbëruara, që të promovohen hapësirat publike që në të ardhmen të krijohen sa më shumë, në mënyrë që qyteti i Mitrovicës të jetë sa më i bukur, ku jeta mund të zhvillohet me mirëqenie të plotë, si dhe të promovohen të mirat natyrore të cilat këtij qyteti ia ka falë Zoti”, thotë Tahiri.
Duke theksuar se viti 2023 është një vit i mbarë për Komunën e Mitrovicës, Tahiri përmend projekte të shumta infrastrukturore që janë në zhvillim e sipër, për të cilat tha se përveç që do të jenë vlerë shtesë për qytetin, do ta përmirësojnë dukshëm edhe jetën e vetë qytetarëve.
“Jemi në fillim të projektit të sheshit të qytetit i cili ka tri pozicione, pra po flasim për sheshin ‘Adem Jashari’, ku do të vendoset shtatorja e komandantit legjendar dhe do të rregullohen pjesët përcjellëse përreth… Pozicioni i dytë brenda sheshit është sheshi ‘Mehë Uka’… dhe më pas do të jetë edhe sheshi ‘Isa Boletini’… vazhdimi i punimeve në lumin Ibër, një projekt i lënë në gjysmë…gjithashtu jemi në procedurë për shkollën e muzikës, është një projekt brilant dhe i shkëlqyeshëm, shumë modern… për bibliotekën e qytetit… është projekt poashtu i rëndësishëm QKMF-ja, punimet janë duke vazhduar me intensitet shumë të lartë, personalisht jam shumë i kënaqur me punët të cilat janë duke u bërë. Aty jemi në bashkëfinancim me shoqatën ‘Jetimat e Ballkanit’ dhe hoxhën Halil Kastrati… do të jetë QKMF-ja më e avansuar në Ballkan”, thekson Tahiri.
Ai premton se të gjitha këto projekte do të përfundojnë deri në vitin 2025.
Tahiri thotë se masat e BE-së ndaj vendit, nuk e kanë prekur Mitrovicën, edhe pse ka përmendur një projekt për trajtimin e ujërave të zeza që është duke u zhvilluar në kuadër të programit të BE-së, për të cilin thekson se nuk është ndërprerë.
Ka ndodhur një vonesë, shton ai, sa i përket ndërtimit të ambulantës së re në Lagjen ‘Ilirida’ në Mitrovicë, e cila është dashur të realizohet në bazë të një memorandumi të nënshkruar mes Komunës dhe një shoqate nga Katari, por kjo vonesë ka ndodhur për shkak të tensioneve të fundit në veri dhe jo si rezultat i masave të BE-së.
“Këto projekte krejt pres që të përfundojnë brenda mandatit tonë. Pra një pjesë e tyre do të përfundojë këtë vit, një pjesë vitin e ardhshëm dhe pjesa tjetër do të përfundojë në vitin 2025… Komuna e Mitrovicës e ka një projekt me IBAD-në, për trajtimin e ujërave të zeza… Kontrata me konsulentin është nënshkruar më herët sesa BE-ja të vendosë masat, dhe deri tani sa kam informacion nuk kam parë që ky projekt është ndalur si rezultat i atyre masave, por projekti është duke vazhduar… Projekte tjera nuk ka pasur në Komunën e Mitrovicës të cilat janë lidhur drejtpërdret nga BE-ja’. Ajo që ka ndodhur si rezultat i gjendjes në qytetin e Mitrovicës për shkak të tensioneve në pjesën veriore dhe që na ka penalizuar, është se ne kemi nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me shoqatën e Katarit për një ambulantë të re në Lagjen ‘Iliridë’… dhe është vonuar fillimi i punimeve për shkak të situatës, mirëpo ne jemi në komunikim me ta dhe përfundimisht ata do të vinë dhe do të fillojë ndërtimi i kësaj ambulante”, vijon Tahiri.