Derisa edukatorët e çerdhes së Fushë Kosovës, ende po qëndrojnë në stacionin policor, pasi dyshohen për dhunë ndaj tre vjeçarit, dëshminë e saj, e ka dhënë edhe nëna e fëmijë.
Fitore Geci tha se është shumë e stresuar me atë çka i ka ndodh fëmijë së saj.
“Jam mami. Sapo e përfundova deklaratën time në Polici, jam shumë e stresuar emocionalisht. Drejtësia vlen”, tha ajo.
Kurse, avokati i familjes Geci, Nasuf Hasani tha se veprimet e punëtoreve të kopshtit kanë qenë shumë të vrazhda dhe me këtë kanë kryer vepër penale.
“Siç është parë edhe në videot e postuara pa as një mëdyshje se punëtoret e kopshtit kanë kryer vepër penale. Përveç që kanë kryer vepër penale konsideroj që është dashtë ta denoncojnë këtë rast edhe përkundër asaj që drejtoria e kopshtit ka qenë konstruktive në këtë rast. Përkundër asaj që Komuna e Fushë Kosovës paralajmëroj që do të marrin vendim për punonjësit. Vetë veprimet e punonjësve të kopshtit kanë qenë veprime shumë të vrazhda duke e pasur parasysh kategorinë e personave të ndishëm që janë fëmijët. Ne presim nga organet kompetente, përkatësisht Prokuroria të veproj sipas procedurave në fuqi”, tha ai.
Ai ka folur edhe për edukatoret.
“Sa e shikuam ne, janë marrë në intervistë, akoma qëndrojnë këtu në stacionin policor. Në bazë të informacioneve që kemi, provat të cilat i kanë grumbulluar tash duhet t’i dërgojnë në Prokurori dhe prokurori vendos për kufizimin e veprës penale. Për ne nuk është kontestuese, së paku mendojmë që i kanë bërë tre vepra penale dhe në bazë të provave, përkatësisht videot, pa asnjë mëdyshje kanë kryer vepër penale”, tha ai.
Sipas tij, fëmija tregon se ka qenë edhe i izoluar prej fëmijëve të tjerë për shkak të hiperaktivitetit të tij që e ka.
“Fëmija ka trauma, sa i përket çerdhes është e pa mundur të vendosin me dërguar. Kur të qetësohet situata, fëmija tregon se ka qenë edhe i izoluar prej fëmijëve të tjerë për shkak të hiperaktivitetit të tij që e ka. Nuk kanë qenë veprimet e duhura që të izolohet fëmija nga bashkëmoshatarët e tij. Edhe gjatë natës siç thekson nëna është me trauma, zgjohet natën, nuk do me ia rikujtu bisedat që i kanë pasur rreth kopshtit. Është në gjendje jashtëzakonisht të keqe. Konsideroj që sipas punëtorëve social tashmë e ka të detyrueshme që t’i nënshtrohet një trajtimi psikologjik për fëmijë sepse është në një gjendje jashtëzakonisht të keqe. Dhe jo vetëm fëmija por edhe gjithë rrethi familjarë”, tha ai.