Shoqëria civile në Serbi ka dënuar ashpër kërcënimet që po i bën presidenti serb, Aleksandër Vuçiq përmes tabloidëve pro-qeveritare. Disa organizata joqeveritare në Serbi kanë kërkuar nga BE-ja që “të mos mbetet vëzhgues i heshtur ndërkohë që vlerat themelore të shtetit të së drejtës po gërryhen në një vend që aspiron të anëtarësohet në Union”.
“BE-ja, së bashku me komunitetin më të gjerë ndërkombëtar, duhet të njoh situatën e rëndë dhe të veprojë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore, të cilat janë nën sulm në rritje”, thuhet në një reagim të organizatave joqeveritare në Serbi.
Thirrje i kanë bërë edhe qeverisë serbe që të ndalojë menjëherë fushatat e frikësimit të motivuara politikisht dhe të ofrojë siguri për të gjithë aktivistët.
“Presioni sistematik mbi organizatat kritike ndaj qeverisë thellon më tej krizën politike tashmë paralizuese dhe kërcënon të drejtat themelore demokratike të qytetarëve.”
Në këtë reagim po ashtu se shënjestrimi i Maja Stojanoviqit dhe Dragan Popoviqit nga presidenti i Serbisë, është vetëm një vazhdimësi e presionit të koordinuar që synon delegjitimimin dhe heshtjen e plotë të shoqërisë së pavarur civile, duke vënë në shënjestër këtë çift dhe familjen e tyre.
“Akuzat e rreme lidhur me rolin e tyre të pretenduar në organizimin e protestave studentore janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të frikësuar të gjithë ata që kritikojnë qeverinë për tragjedinë në Novi Sad, e cila u shkaktua nga korrupsioni dhe pakujdesia. Këto sulme vijnë në një kohë kur presioni ndaj shoqërisë civile nga autoritetet po arrin nivele të paranojës masive, pasi ata tentojnë të identifikojnë të ashtuquajturit organizatorë të protestave dhe bllokadave rrugore ku përfshihen një numër i madh qytetarësh. Sulmet ndaj shoqërisë civile shërbejnë si një mjet për qeverinë që të pretendojë në mënyrë të rreme se shoqëria civile po orkestrojnë një ‘revolucion me ngjyra në Serbi’. Ky tregim, i marrë drejtpërdrejt nga libri i lojërave të Kremlinit për shtypjen e shoqërive demokratike për të instaluar pushtetin absolut, nuk do të ketë sukses në një vend që është kandidat për anëtarësim në BE”, thuhet në këtë reagim.
Shoqëria civile solidarizohet me studentët, arsimtarët dhe të gjithë qytetarët e tjerë që protestojnë sot në qytete dhe komuna anembanë Serbisë.
Më 1 nëntor në Serbi, mbetën të vdekur 15 persona.