Këngëtarja e njohur kanadeze Nelly Furtado ka befasuar fansat me një vendim të papritur: ajo ka njoftuar se nuk do të performojë më live, duke mbyllur kështu një kapitull të rëndësishëm të karrierës së saj muzikore.
45-vjeçarja ndau lajmin në rrjetet sociale, duke shprehur mirënjohje për udhëtimin e gjatë që nisi në fillim të viteve 2000 me albumin e suksesshëm “Whoa, Nelly!” dhe hitet që e bënë të famshme në mbarë botën, si “I’m Like a Bird” dhe “Maneater”.
“Faleminderit për këtë udhëtim të jashtëzakonshëm… gjithmonë do të shkruaj këngë,” shkroi ajo, duke ndarë një foto nga koncerti i saj i parë dhe një video nga performanca e fundit në Berlin, si kujtesë e emocioneve që e kanë shoqëruar në skenë.
Në postimin e saj, Furtado foli edhe për presionin e komenteve dhe kritikave lidhur me pamjen e jashtme, duke theksuar se nuk ka bërë ndërhyrje estetike të mëdha dhe se ndihet mirë me veten “ashtu siç është”.
Lajmi ka shkaktuar një valë reagimesh pozitive nga fansat, të cilët e kanë përgëzuar për sinqeritetin dhe ndikimin që ka pasur në muzikën pop ndër vite.
Edhe pse ka vendosur t’i japë fund performancave live, Nelly Furtado mbetet aktive në studio dhe ka paralajmëruar se projektet e reja muzikore do të vazhdojnë, duke ruajtur lidhjen me publikun përmes krijimtarisë së saj. /A.Z/UBT News/
