Kirill Dmitriev, kreu i Fondit Sovran të Pasurisë Ruse dhe një figurë kyçe në politikën ekonomike të Kremlinit, është pjesë e delegacionit të Moskës në bisedimet që po mbahen në Riad mes delegacionit amerikan dhe rus.
Para nisjes së negociatave, ai deklaroi se Kremlini e sheh presidentin amerikan Donald Trump dhe ekipin e tij si “zgjidhës të problemeve”, duke vlerësuar mënyrën e tyre të veprimit si të shpejtë, efikase dhe të suksesshme, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.
Dmitriev, i cili do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me përfaqësues amerikanë për çështje ekonomike, shprehu pritshmërinë se marrëdhëniet SHBA-Rusi do të shënojnë përparim brenda tre muajve të ardhshëm.
Ai gjithashtu pretendoi se bizneset amerikane kanë pësuar humbje prej mbi 300 miliardë dollarësh pas largimit nga tregjet ruse pas pushtimit të Ukrainës.
Ndërkohë, vëmendja ndaj Dmitrievit nuk lidhet vetëm me rolin e tij ekonomik, por edhe me lidhjet e tij të ngushta me Kremlinin. Sipas redaktorit të BBC Monitoring, Vitaliy Shevchenko, Dmitriev është i afërt me familjen e Vladimir Putin. Gruaja e tij ka studiuar në Universitetin Shtetëror të Moskës (MGU) bashkë me vajzën e Putinit, Katerina Tikhonova, dhe më vonë është bërë zëvendëse e saj në një fondacion që promovon teknologjinë e lartë.
Takimet në Riad po zhvillohen në një moment kyç të përpjekjeve diplomatike për një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë, ndërsa Rusia ka kërkuar që Evropa të mos jetë pjesë e bisedimeve, duke u fokusuar në negociata dypalëshe me SHBA-në.