UBT News

Negociatat e reja për targat, Kurti: Jam optimist, por Serbia ishte destruktive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë nga Estonia se si qeveri janë duke bërë çmos për ta mbrojtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit, derisa optimist u shpreh sa i përket zgjidhjes së çështjes së targave.

Në një konferencë për media bashkë me kryeministren estoneze, Kurti tha se mbetet të shihet në ditët në vijim se sa të suksesshëm do të jenë në negociatat e reja.

“Zëvendëskryeministri im i parë është në komunikim të rregullt dhe të intensifikuar me Brukselin për ta zgjidhur këtë çështje. Në Kosovë janë 9 mijë vetura me targa ilegale serbe, kjo është më pak se dhjetë për qind e veturave që kanë serbët në Kosovë, pra është pakica ekstremiste brenda pakicës serbe, e cila po refuzon emërtimet e vendit tonë. Kemi pasur një diferencim në qasje dhe radhitje në zbatim, duke filluar vetëm me qortime, vërejtje për tre javë dhe më pas vetëm gjoba. Megjithatë Beogradi urdhëroi të gjithë serbët që janë në institucionet e Kosovës që t’i braktisin ato dhe të japin dorëheqje kolektive. Disa prej tyre e kanë bërë këtë, unë kam bërë thirrje, që ata të mos japin dorëheqje sepse institucionet demokratike nuk janë institucione të kësaj qeverie, apo të këtij kryeministri, ato janë institucione për të gjithë, në shërbim të tyre, shërbime publike për të gjithë, ne jemi duke bërë çmos për të ruajtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë në njërën anë, dhe paqen e sigurinë në anën tjetër. Jam optimist, por qasja e Beogradit ka qenë mjaft penguese dhe e dëmshme. Në ditët në vijim do të shohim se sa të suksesshëm do të jemi në negociatat më të reja. Na duhet marrëveshje me Serbinë, marrëveshje përfundimtare, ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër”, deklaroi ai mes tjerash.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës është pyetur edhe nëse duhet të krijohet edhe në Ukrainë një gjykatë sikurse Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Ne nuk mendojmë se drejtësia është vënë në vend. Ne do t’i forcojmë institucionet tona në Kosovë, në mënyrë që të gjykojmë në mungesë kriminelët e luftës, por përsëri do të na duhet ndihma e bashkësisë ndërkombëtare, sepse gjithçka tregon se pajtimi dhe paqja e qëndrueshme pa drejtësi nuk mund të bëhet, dhe besoj se gjithashtu duhet të ketë një gjykatë, duhet të ketë një gjykatë ndërkombëtare për viktimat e agresionit dhe pushtimit rus që filloi nëntë muaj më parë”, ka thënë ai.

Para gazetarëve Kurti foli edhe për raportet e Kosovës me Estoninë, për çka tha se të dyja vendet ndajnë vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë.

“Qeveria e Kosovës vlerëson mbështetjen e Republikës së Estonisë për liberalizimin e vizave si dhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Integrimin në BE dhe NATO e konsiderojmë si një proces të natyrshëm që bazohet në orientimin strategjik të Kosovës. Ne synojmë të fillojmë procesin e aplikimit për statusin e vendit kandidat dhe mbështetja e Estonisë në këtë drejtim do të vlerësohet shumë. Dy vendet tona, Kosova dhe Estonia, kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale, si dhe të kaluar të ngjashme historike. Prandaj Republika e Kosovës e merr seriozisht modelin estonez në shumë aspekte të shtetndërtimit, veçanërisht në lidhje me kapacitetet e institucioneve në reformën e administratës publike. Ne duhet të kemi një shtet të fortë dhe demokratik”, ka thënë ai.

Edhe kryeministrja estoneze, Kaja Kallas nënvizoi raportet e mira Kosovë – Estoni.

“Marrëdhëniet mes Estonisë dhe Kosovës janë shumë të mira dhe më vjen mirë që po bëhen edhe më aktive. Isha e lumtur të diskutoja procesin e reformës në Estoni, veçanërisht në fushën e qeverisjes digjitale dhe sundimit të ligjit. Ndërtimi i demokracisë nuk përfundon kurrë – këtu ne kujdesemi për të çdo ditë. Një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit tonë praktik është se aktualisht ekspertët estonezë në bashkëpunim me ndihmën tuaj po krijojnë strategjinë e qeverisjes elektronike të Kosovës. Ajo që është thelbësore për të bërë më pas është ta zbatoni atë së shpejti në praktikë”, tha ajo.

Ajo pati një falënderim për Kosovën, për mbështetjen që vendi ynë i dha Ukrainës. Ndërkohë që theksoi mbështetjen e Estonisë në rrugën euroatlantike të Kosovës.

“Dëshiroj të falënderoj Kosovën për mbështetjen tuaj të palëkundur ndaj Ukrainës. Ju keni dhënë një shembull të rëndësishëm duke ndjekur shpejt dhe plotësisht sanksionet e BE-së. Kjo do të thotë shumë. Ju i keni dhënë Ukrainës ndihmë humanitare dhe keni mbështetur refugjatët ukrainas. Qëndrimi juaj parimor vlerësohet dhe njihet gjerësisht. Dëshiroj gjithashtu të theksoj mbështetjen e plotë të Estonisë për rrugën euroatlantike të Kosovës. Më lejoni të rikonfirmoj mbështetjen tonë për liberalizimin e vizave me BE-në”, tha Kallas. 

Exit mobile version