Zyrtari i Bashkimit Evropian, që koordinon bisedimet indirekte midis Uashingtonit dhe Teheranit, mbi ripërtëritjen e marrëveshjes bërthamore të Iranit, ka konfirmuar se bisedimet do të rinisin më 9 dhjetor në Vjenë të Austrisë.
Diplomati i BE-së, Enrique Mora e bëri këtë njoftim përmes një postimi në Twitter, ku tha se një komision i përbashkët dhe një numër i kontakteve bilaterale dhe multilaterale do të ndodhin.
Rob Malley, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Iranin, pritet të udhëtojë për në Vjenë gjatë fundjavës, konfirmoi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.
Price u tha gazetarëve më 8 dhjetor se Malley dhe ekipi i tij planifikon që t’iu bashkohet bisedimeve gjatë fundjavës.
Ai shtoi se delegacioni i SHBA-së ka për qëllim që të vlerësojë qëndrimin e Teheranit.
“Ne do të duhej ta kuptonim shumë shpejt nëse iranianët do të negociojnë në mirëbesim”, tha ai.
ShBA-ja dhe fuqitë evropiane shprehën zhgënjimin e tyre javën e kaluar, pasi thanë se gjatë bisedimeve, Irani kishte treguar mungesë të seriozitetit.
Uashingtoni ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që Teherani të bllokojë bisedimet, teksa në të njëjtën kohë vazhdon zhvillimin e programit të tij bërthamor.
SHBA-ja nuk ka vendosur ndonjë ultimatum, por Pirce tha se “jo gjithmonë do të jetë në interesin tonë që të kërkojmë të rikthehemi” në marrëveshjen bërthamore.
Më 2015, Irani arriti marrëveshjen bërthamore së bashku me Britaninë, Kinën, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja kishte për qëllim frenimin e programit bërthamor të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Por, më 2018, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump e tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione ekonomike, duke shtyrë Iranin që të nisë të shkelë pikat e marrëveshjes.
Irani gjithmonë ka insistuar se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.
Bisedimet në Vjenë kanë për qëllim që të gjenden mënyra që SHBA-ja dhe Irani të rinisin respektimin e marrëveshjes.
Në bisedimet në Vjenë, SHBA-ja nuk merr pjesë direkt në takimet me Iranin./REL