UBT News

Në vitin 2021 pesë milionë fëmijë në mbarë botën vdiqën para se të festonin ditëlindjen e pestë

Në vitin 2021, pesë milionë fëmijë në mbarë botën vdiqën para se të festonin ditëlindjen e tyre të pestë. Pothuajse gjysma (47%) vdiqën gjatë muajit të tyre të parë, sipas shifrave të reja të OKB-së.

Shumica e vdekjeve mund të ishin parandaluar me një kujdes më të mirë shëndetësor, thonë aktivistët, duke shtuar se vdekjet midis foshnjave të sapolindura nuk janë ulur ndjeshëm që nga viti 2017.

Të dhënat që u publikuan të martën nga Grupi Ndër-agjenci i OKB-së për Vlerësimin e Vdekshmërisë së Fëmijëve, tregojnë se ndërsa nivelet e vdekshmërisë kanë rënë që nga viti 2000, progresi është ngadalësuar gjatë 12 viteve të fundit.

“Kjo konfirmon se pavarësisht progresit të rëndësishëm në reduktimin e vdekshmërisë amtare, ka ende nevojë në në forcimin e kujdesit të sigurt dhe cilësor të lindjes së fëmijëve, veçanërisht në urgjencat obstetrike në Afrikën Sub-Sahariane”, deklaroi Vandana Tripathi, drejtoreshë e programit të kirurgjisë së sigurt Momentum në planifikimin familjar dhe obstetrikë në OJQ EngenderHealth.

Fëmijët e lindur në Afrikë janë 15 herë më të predispozuar për të vdekur në fëmijërinë e hershme, sesa fëmijët e lindur në Evropë apo në Amerikën Veriore, thotë OKB.

Sipas të dhënave të OKB-së, 1.9 milion foshnje kanë lindur të vdekura gjatë vitit 2021, më shumë se tri të katërtat (77%) në Afrikën Sub-Sahariane dhe në Azinë Jugore. Rreziku që një grua të lindë një foshnje të vdekur në Afrikën Sub-Sahariane është shtatë herë më i lartë sesa për gratë në Evropë dhe Amerikën e Veriut.

Lindja e parakohshme dhe komplikimet gjatë lindjes janë shkaktarët kryesorë të vdekjeve neonatale. Për fëmijët që mbijetojnë pas 28 ditëve të para, sëmundjet si pneumonia, diarreja dhe malaria përbëjnë kërcënimin më të madh, njoftoi OKB.

Kristy Kade, drejtoreshë e White Ribbon Alliance, e cila avokon për shëndetin, të drejtat dhe barazinë gjinore të grave dhe vajzave, tha se shifrat nuk janë befasuese.

“Ne nuk po u kushtojmë vëmendje grave para se të mbeten shtatzënë”, tha ajo. “Këto shifra janë rezultat i varfërisë, urisë dhe mungesës së strehimit. Ne nuk do të përmirësohemi pa u fokusuar te femrat”.

Ajo shtoi se shanset e grave, fëmijëve dhe foshnjave për të mbijetuar u reduktuan shumë, sepse mamitë dhe infermieret po largohen nga shërbimet shëndetësore në mbarë botën “në masë” për shkak të pagave të ulëta./UBTNews/

Exit mobile version