Në kuadër të aktiviteteve për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe shkencore, UBT ka zhvilluar një trajnim të rëndësishëm të stafit për Teknologji Gjeohapësinore. Trajnimi është realizuar brenda parametrave të nevojshëm dhe kërkesave të stafit, duke u fokusuar në skanimin laserik terresterik, përdorimin e dronit për skanim, si dhe GPS.
Gjatë pjesës së SLT, trajnimi ka qenë i orientuar në pjesën teorike dhe praktike të skanimit lazerik. Në pjesën teorike të SLT janë prezantuar llojet e matjeve si: matjet kinematike dhe matjet statike, si dhe aplikimet e tyre në projektet konkrete. Në pjesën praktike të trajnimit janë përfshirë futja e informacionit në skaner, procesi i skanimit të ambienteve të brendshme dhe atyre të jashtme. Pjesëmarrësit në trajnim janë angazhuar në mënyrë aktive që të gjithë të kenë mundësinë të aplikojnë skanimin në mënyrë autonome.
Pas përfundimit të fazës së skanimit, është kaluar në pjesën e analizimit të procesit të skanimit në softuerin Scene. Pjesëmarrësit patën mundësi të përcaktojnë parametrat nga faza fillestare deri në fazën finale ku evidentohet pamja 3D e objekteve të skanuara dhe karakteristikat e tyre.
Në ditën e dytë të trajnimit, pjesëmarrësit kanë vazhduar me punën në terren, duke përfshirë aplikimin dhe piketimin me GPS, i cili është i nevojshëm për rritjen e saktësisë së skanimit SLT.
UBT vazhdon të zhvillojë kapacitetet njerëzore, profesionale dhe shkencore për të siguruar që i gjithë aktiviteti shkencor dhe profesional është në përputhje me trendet e fundit teknologjike dhe me kërkesat aktuale në treg, për të ndihmuar zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.