UBT News

Në UBT u promovua libri i profesorit, gazetarit dhe publicistit Musa Sabedini, me titullin “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”

Në prani të rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, profesorëve dhe studentëve të UBT-së, si dhe pjesëmarrësve të tjerë, është mbajtur promovimi i librit të profesorit të UBT-së, gazetarit dhe publicistit Musa Sabedini.  

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka përgëzuar profesorin Musa Sabedini për punën e tij duke u shprehur se promovimi i këtij libri është një lajm shumë i mirë, duke shtuar se është për tu befasuar se deri tani ka munguar një libër i tillë në Kosovë.  

Gazetaria ka ende shumë hapësirë për përmirësim, sidomos në aspektin e literaturës dhe mbulimit të tematikave të rëndësishme për arritjen e kompetencave të nevojshme. Publikimi i një libri mbi etikën gazetareske është një lajm pozitiv, pasi është hera e parë që kemi një vepër të tillë deri në vitin 2025. Është interesante që kemi pritur kaq gjatë për një libër mbi etikën në këtë fushë. Etika ka fituar një rëndësi të madhe në akademi gjatë 20 viteve të fundit dhe mbetet një komponent kyç. Mendoj se ky botim do t’u ofrojë lexuesve një mundësi për të reflektuar dhe do të kontribuojë në rritjen e vlerës së gazetarisë”, u shpreh Rektori Hajrizi.  

Recensenti i librit, profesori Safet Zejnullahu, ka thënë se ky është një libër voluminoz, duke shtuar se promovimi i këtij libri vjen në një kohë kur gazetaria është e rrezikuar nga gazetaria jo profesionale.  

“Është një punë voluminoze, që do të kërkonte një ekip të tërë për të mbledhur gjithë atë material, autorë të huaj dhe shembuj, pa një periudhë dy-tre vjeçare hulumtimi të vazhdueshëm. Profesori ka bërë pikërisht këtë. Siç thotë dhe kolegu Musa, ‘etika është mburoja e gazetarisë profesionale’, ndërsa unë do ta quaja ‘saç mbi kokë’; po nuk punove mirë, të djeg. Besoj se ky ‘saç’ ka qëndruar mbi kokën e profesorit edhe gjatë shkrimit të librit, duke përzgjedhur me kujdes shembujt, autorët dhe literaturën. Rezultati është një libër voluminoz, një sfidë për studentët tanë të rinj që kanë humbur kulturën e leximit. Në kohën e internetit, gazetaria është më e rrezikuar se kurrë, dhe etika është ndoshta më e rrezikuara brenda saj. Libri i profesorit dhe ligjëratat tona nuk mund të shpëtojnë gazetarinë, por mund të na mësojnë si të mbrohemi nga shkeljet, sidomos ato etike”, tha Zejnullahu. 

Ndërsa, profesori dhe publicisti, Musa Sabedini, është shprehur se i janë dashur 15 vite punë, deri në promovimin e këtij libri, duke shtuar më tutje se ky libër do jetë një udhërrëfyes për të gjithë ata që kanë dëshirë të bëjnë një gazetari profesionale.  

Ky libër nuk është rezultat i punës së sotme apo të një, dy, apo tre viteve; libri përfaqëson një rrugëtim timin 15-vjeçar. Etikën e kam dashur gjithmonë, dhe në gazetari, etika është disiplina e verifikimit. Nëse një media, gazetar, apo studiues nuk respekton etikën e verifikimit, ai gjithmonë do të ketë probleme me etikën. Gazetaria jonë shpesh është e stërkeqe, jo e saktë, jo precize, me mangësi. Jam shumë i lumtur nëse ky libër shihet seriozisht nga studentët, lexohet me vëmendje dhe kompetencë. Ai përmban rreth 700 referenca, citime dhe linqe. Ky libër do të jetë një udhërrëfyes për këdo që dëshiron të shkruajë me etikë dhe disiplinë, dhe të largohet nga gazetaria e keqe, gazetaria e showbizit”, u shpreh autori Sabedini.  

Në përmbyllje, autori shpreh se ky libër nuk do jetë i fundit, por që vepra e tij e ardhshme do të fokusohet në gazetarinë hulumtuese, fushë ku profesori i UBT-së, Musa Sabedini, është veçanërisht i njohur./UBTNews/ 

Exit mobile version