UBT News

Në UBT u mbajt forumi me temë “Metaverse and Space” me mysafirë special nga kompania e telekomunikacionit “Nokia”

Në ambientet inovative të Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, është mbajtur një forum me shefin e teknologjisë në kompaninë e telekomunikacionit “Nokia” nga Roma, Giampolo Panariello, lidhur me teknologjinë dhe trendet e së ardhmes në fushën e telekomunikacionit.

Të pranishëm në këtë forum me një tematikë tejet të rëndësishme, ishin rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, përfaqësues nga ambasada finlandeze, si dhe profesorë dhe studentë të UBT-së nga programe të ndryshme të studimit.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka falënderuar dhe njëherit uruar mirëseardhje mysafirëve nga Finlanda dhe Italia, duke shtuar se UBT është gjithnjë përkrahëse dhe shtytëse e teknologjive të reja, të cilat do të luajnë rol kyç në të ardhmen.

Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, është shprehur i lumtur që është në Kosovë dhe me atë që ka parë me zhvillimin e UBT-së, dhe përkushtimin si një institucion që u ofron të rinjve arsimim cilësor me kushte moderne dhe inovative.

Shefi i teknologjisë në kompaninë e telekomunikacionit “Nokia” nga Roma, Giampolo Panariello, ka prezantuar para të pranishmëve mundësitë që ofron Metaverse, krijimin e rrjeteve përmes Metaverse, si dhe për shkrirjen midis botës digjitale, fizike dhe asaj njerëzore.

Në këtë forum u diskutua për rrjetin global 6G, rrjet që pason gjeneratën e pestë të rrjeteve celulare pa tela 5G, që UBT tashmë veçse e ka implementuar në Parkun Shkencor Inovativ të tij, në bashkëpunim me gjigantin e telekomunikacionit – Nokia.

Exit mobile version