UBT News

Në UBT u mbajt diskutim rreth temës: “Rëndësia e kujdesit mbi shëndetin mendor”

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, u mbajt një konferencë përpara studentëve të Fakultetit të Psikologjisë në UBT, me pjesëmarrjen e rektorit të UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, drejtoreshës së Qendrës Këshilluese për Studentë në UBT, Vjollca Pllana, përfaqësueses së Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Selvi Izeti – Çarkaxhiu, profesoreshës Violeta Zefi, udhëheqësit të kujdesit alternativ në SOS Fshatrat e Fëmijëve, Besnik Pecit, psikologut në SOS Fshatrat e Fëmijëve, Lirim Berisha, ligjërueses në Fakultetin e Psikologjisë në UBT, Anita Sadikaj, si dhe dekanes së Fakultetit Psikologji në UBT, Denis Celcima.

Në këtë konferencë u diskutua rreth temës “Rëndësia e kujdesit mbi shëndetin mendor”, e cila shfaqi rëndësinë që ka kujdesi i shëndetit mendor sidomos nga ana e studentëve.

Në kuadër të kësaj konference u diskutua edhe rreth përkrahjes psikologjike të të mbijetuarve të dhunës dhe torturës, qasja në shërbimet e shëndetit mendor për grupet e margjinalizuara, veçoritë e përkrahjes psikologjike për fëmijët e braktisur dhe familjet në kushte të vështira, si dhe për përkrahjen psikologjike të fëmijëve me nevoja të veçanta.

Nga ky diskutim studentët thelluan njohuritë e tyre për nevojën e ruajtjes së shëndetit mendor, e cila përfshinë mirëqenien në shumë nivele, si në atë emocionale, psikologjike dhe sociale, teksa patën mundësinë të parashtrojnë idetë, apo paqartësitë e tyre rreth kësaj teme.

Kjo konferencë vuri në theks edhe faktorët stresues që ka shkaktuar pandemia COVID-19 dhe ballafaqimi me të, përfshirë kufizimet në lëvizje të lirë dhe karantinimin, që kanë përkeqësuar dhe rënduar gjendjen psikologjike të shumë personave.

Në kuadër të UBT-së funksionon Qendra Këshilluese për Studentë, e cila parasheh mbajtjen e seancave këshilluese për t’i vetëdijësuar studentët rreth shëndetit mendor dhe atij fizik.

Exit mobile version