Me një atmosferë të mbushur me emocione, krenari dhe pozitivitet, në UBT u mbajt ceremonia e diplomimit të gjeneratës së parë të maturantëve të Shkollave të Mesme të UBT-së.
Në praninë e Presidentit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Drejtoreshës së Shkollave të Mesme të UBT-së, Hajrije Devetaku, prindërve, familjarëve, miqve dhe profesorëve, maturantët e gjeneratës së parë diplomuan dhe shënuan përfundimin e një kapitulli të rëndësishëm edukativo-arsimor.
Në fjalën e tij, Rektori Hajrizi uroi maturantët për sukseset e tyre, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit dhe punës së palodhshme që kanë treguar gjatë viteve të shkollimit. Ai gjithashtu nënvizoi rolin e rëndësishëm që UBT ka luajtur në formimin e tyre akademik dhe profesional, duke siguruar një mjedis të favorshëm për zhvillimin e aftësive dhe talenteve të tyre.
“Është nder dhe privilegj që të qëndroj para jush, një gjeneratë e cila me përkushtim të madh ka arritur që sot të ketë një momentum të veçantë. Këtë vit Kosovës i shtohet një gjeneratë me kompetenca dhe aftësi. Gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe procese e individ që na kanë mbështetur për të realizuar këtë momentum, prandaj dëshirojmë që t’i falënderojmë të gjithë ata që kanë kontribuuar në mënyrë direkte apo indirekte në suksesin tuaj. Diplomimi nuk është vetëm një moment reflektimi për të kaluarën, por edhe një moment pritjeje për të ardhmen”, potencoi Rektori Hajrizi.
Drejtoresha Devetaku shprehu mirënjohjen e saj ndaj prindërve dhe profesorëve për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm, që kanë kontribuar në arritjen e këtij momenti të rëndësishëm. Ajo inkurajoi maturantët të vazhdojnë të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të mos ndalen kurrë së kërkuari njohuri dhe përvoja të reja.
“Në përmbyllje të këtij cikli të shkollimit tuaj, përkatësisht përfundimit të maturës, është koha për të menduar për fillimin e një cikli të radhës, për t’i ndjekur ëndrrat e juaja të cilat janë vërtet reale dhe të arritshme. Krejt çka duhet të bëni është që t’i bashkoni ambiciet, këmbënguljen dhe pritshmëritë e juaja në interes të vizionit se ku do të jeni pas 10 viteve, si do të arrini atje dhe çfarë do të bëni”, u shpreh ajo.
Ceremonia vazhdoi me ndarjen e certifikatave dhe shpërblimeve për maturantët e dalluar, të cilët u vlerësuan për arritjet e tyre të jashtëzakonshme në fusha të ndryshme. Prindërit dhe familjarët përjetuan momente emocionuese teksa shikonin fëmijët e tyre duke marrë diplomat, një dëshmi e punës dhe përkushtimit të tyre ndër vite.
Kjo ngjarje shënoi një pikë të rëndësishme në historinë e Shkollave të Mesme të UBT-së, duke dëshmuar përkushtimin e institucionit për ofrimin e arsimit cilësor dhe përgatitjen e gjeneratave të ardhshme për sfidat e jetës dhe karrierës.