Parku Shkencor Inovativ i UBT-së në Lipjan u bë pikëtakimi i artistëve nga vendi dhe rajoni për të hapur edicionin e parë të ekspozitës së Kolonisë Artistike “Vizioni 2023 UBT”, e cila zhvilloi aktivitetet e saj nga 10 deri 13 nëntori me mbështetjen e UBT-së nën qiellin e Alpeve shqiptare, në Bogë të Rugovës.
Në këtë ngjarje artistike, ku krijimtaria dhe talenti vinin në përputhje me natyrën dhe bukurinë e zonës, mori pjesë edhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.
Rektori Hajrizi në shenjë falënderimi dhe respekti për angazhimin dhe punën e secilit artistë pjesëmarrës në Koloninë Artistike “ Vizioni 2023 UBT”, ndau nga një mirënjohje nga ana e UBT-së.
Boga e Rugovës, nën qiellin e Alpeve shqiptare, u bë ambienti perfekt për punimet e artistëve, duke ofruar jo vetëm një sfond natyror të mrekullueshëm, por edhe një burim frymëzimi për ta. Shumë prej tyre gjetën një atmosferë të veçantë, ku imazhet më artistike u krijuan dhe u shpalosën në mënyrë autentike.
Elementi i rëndësishëm i kësaj ngjarjeje krijuese ishte kuratori i Kolonisë Artistike, Hivzi Muharremi, i cili udhëhoqi me pasion dhe ekspertizë, duke e bërë atë një përvojë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit dhe vizitorët.
Shfaqja e punimeve të cilat u realizuan në Bogë të Rugovës në ambientet e Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, shënoi një ngjarje të rëndësishme, ku bëri bashkë artisë, kuratorë, studentë e profesorë.
Ata panë nga afër punimet e mbi 24 artistëve nga vendi dhe rajoni, si dhe u frymëzuan nga perspektivat e tyre për natyrën e bukur të Bogës dhe Rugovës në përgjithësi.