Me praninë e rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, profesorëve, studentëve, miqve dhe familjarëve, profesori, autori, gazetari dhe publicistit, Musa Sabedini, promovoi librin voluminoz “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, i cili është një libër profesional që shtjellon, trajton e studion raste nga më të ndryshmet, bazuar e nisur edhe nga përvoja e vet autorit.
Në fjalën përshëndetëse, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi e përgëzoi profesorin Musa Sabedini për botimin e këtij libri, duke e konsideruar një ndër librat më të mira dhe me vlerë të madhe për fushën e gazetarisë.
“Është një libër me një qasje interesante. Është një angazhim i madh i autorit që të sjellë tek studentët këtë libër profesional, që ata të kenë një literaturë të mirë dhe t’i ndihmojë edhe gazetarët e lexuesit e tjerë. Ky libër është shkruar nga një autor që edhe vet ka vazhduar të jetë aktiv në profesionin e gazetarisë. Duke sjellë edhe përvojën e tij personale edhe angazhimin e tij, autori e ka bërë një libër shumë të mirë, i cili do të ketë edhe vlerë të madhe”, tha rektori Hajrizi.
Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Ferid Selimi e përgëzoi profesorin Musa Sabedini për angazhimin dhe profesionalizmin e tij për të sjellë një libër në fushën e gazetarisë, duke theksuar se është mungesë e librave të tillë në Kosovë, për t’i ndihmuar studentët e kësaj fushe drejt profesionalizmit.
“Së pari ju përgëzoj për përfundimin e këtij misioni që ka marrë autori, ky libër që vërtetë e mbush një boshllëk në gazetarinë kosovare. Në Kosovë ka shumë pak libra për gazetari, autorë vendorë janë shumë të rrallë dhe kemi nevojë për libra të tillë. Për ata që e konsiderojnë veten të fushës, është vet titulli që tregon shumë. Autori është përpjekur të ngërthejë të gjitha ngjarjet si nga aspekti profesional ashtu edhe nga përvoja e tij, duke i plotësuar të gjitha kriteret që të quhet një libër i gazetarisë dhe për gazetarinë”, u shpreh dekani Selimi.
Recensenti i parë profesori Ahmet Maloku ka thënë se libri ofron përgjigje për shumë pyetje të teorisë dhe praktikës metodologjike, e cila ka në fokus mediat përballë raportimeve për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme.
“Në parathënie, autori jep një shpjegim të arsyeve të shkrimit të kësaj vepre dhe çfarë e shtyu atë të zgjedhë këtë lloj vepre. Gjithashtu, ai thekson probleme të rëndësishme që dalin gjatë shtjellimit të temës që ka të bëjë me problemet në terren që has çdo gazetar, me etikën që mbetet si problemi më delikat i mënyrës së raportimit ne gazetari. Për më tepër, në kapitullin e parë autori shqyrton parimet bazë të gazetarisë, etikën në gazetari, flet për rastet e vrasjeve, vetëvrasjeve, vrasjet e rënda, veprat penale të të gjitha kategorive, dënimet, armët, shkeljet ligjore, etika gjatë raportimit, vdekjet, tragjeditë, privatësia, lajmet e rrejshme, vrasjet, plagosjet, aksidentet, zjarret, personat me aftësi të kufizuara, të miturit”, potencoi recensenti Maloku.
Teksa, recensenti Safet Zejnullahu në fjalën e tij në recension ka vlerësuar se autori ka një përvojë të gjatë në fushën e gazetarisë dhe ky libër është një punë voluminoze e autorit duke treguar përkushtimin e madh të tij për të kontribuar në këtë fushë.
“Autori Musa Sabedini ka një përvojë të gjatë të punës së drejtpërdrejtë nga raportimi nga terreni, si në kohë pushtimi, në kohë aparteidi në median e Kosovës, në kohë lufte, në kohë të gazetarisë së kontrolluar të pasluftës dhe në epokën e internetit. Këtë përvojë ai e ka përdorur për të mbledhur brenda kopertinave të këtij libri shembuj të panumërt të gabimeve e të shkeljeve etike të bëra në media, qoftë qëllimshëm, qoftë padashtas. Një punë shumë voluminoze e autorit tregon përkushtimin e tij, pikë së pari, për të bërë vetë gazetari profesioniste, por edhe për t’u ndihmuar të tjerëve për ta bërë të njëjtën gjë. Qofshin ata gazetarë fillestarë, qofshin me përvojë”, është shprehur profesori Safet Zajnullahu.
Profesori, gazetari, publicisti, autori i librit “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, Musa Sabedini, falënderoi të gjithë të pranishmit në këtë promovim të këtij libri, njëherit rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizin, dekanin e Fakultetin Media dhe Komunikim, Ferid Selimi, recensentët Ahmet Maloku dhe Safet Zejnullahu, duke besuar se ky libër do të jetojë gjatë dhe do të shërbejë shumë për studentët, gazetarët dhe profesionistët e medias.
“Unë flas shkurt sepse flet libri, i cili është i veçantë për shkak të angazhimit, korrektësisë dhe profesionalizmit. Libri është një lloj kombinimi i ngjarjeve të ndryshme dhe i përvojës të cilën e kam ndërtuar tash e sa vite në fushën e gazetarisë. Gazetarët duhet të kuptojnë se gazetaria është shumë sfiduese. Ky libër është ABC-ja, është udhëzues e manual i secilës dilemë në fushën e gazetarisë. Gazetaria dëshiron saktësi, vërtetësi. Ky libër do të jetojë gjatë, meqenëse është i qartë për të gjithë lexuesit dhe njëherit është shumë praktik për ata që duan të merren me gazetari”, tha Sabedini.
“Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, u dedikohet studentëve të gazetarisë, studiuesve të medias, gazetarëve e hulumtues, redaktorëve të profesionalizuar, hetuesve, prokurorëve e gjyqtarëve me etikë profesionale.
Ndryshe botues i librit është UBT dhe i ka 532 faqe, teksa recensentë të librit janë profesorët Ahmet Maloku dhe Safet Zejnullahu, sipas të cilëve libri është kontribut i rëndësishëm në studimin dhe zhvillimin e shkencës së gazetarisë për studimin e asaj dukurie, si dhe do të shërbejë për si literaturë profesionale për një kohë të gjatë.
Libri përbëhet nga shembuj të shumtë, raste konkrete për të gjitha kategoritë e ndjeshme, duke filluar me Kapitullin e parë, që flitet për rastet e vrasjeve, vetëvrasjeve, vrasjet e rënda, veprat penale të të gjitha kategorive, dënimet, armët, shkeljet ligjore, etika gjatë raportimit, vdekjet, tragjeditë, privatësia, lajmet e rrejshme, vrasjet, plagosjet, aksidentet, zjarret, personat me aftësi të kufizuara, të miturit, të sëmurët mentalë, dhunimet, krimet e luftës, raportimet nga gjyqet, raportimi për pandemitë, raportimi për aspektet fetare, trafikimi me qenie njerëzore, prostitucioni, kontrabandimi i migrantëve, raportimi për kronikën e zezë, personat e zhdukur, dhuna në familje, dhunimi, vrasjet e grave shtatzëna, vetëvrasjet, ngacmimi seksual, shantazhi, kanosja, shtrëngimi, detyrimi, hakmarrja, korrupsioni, ryshfeti, skemat piramidale dhe bixhozi, vjedhja, vjedhjet e rënda, grabitja, mjediset konfliktuoze, raportimi për protestat, trazirat, demonstratat, raportimi mbi konfliktet, trazirat sociale, siguria e gazetarëve dhe rreziqet, trazirat e marsit 2004, gjenocidi, sulmet terroriste, rrëmbimet, pengjet, spiunazhi, sabotimi, krimet kundër njerëzimit, pornografia, pedofilia, bigamia, krimet kibernetike.
Në Kapitullin e dytë libri trajton dhe analizon më shumë raportet medie, polici, prokurori dhe gjykatë, pastaj termet juridike, i ndaluar i përkohshëm, i dyshuar, i burgosur, i akuzuar, i dënuar, i dëmtuar, hetimet policore, veprimet policore, kallëzimi penal i policisë, obduksioni i kufomës, ngritja e aktakuzës, raportet media – prokuror, përkufizimet juridike, dilemat e gazetarëve, udhëzues, manual e agjenda për të shkruarit nga gjykatat, avokatët mbrojtës, publiku, i pandehuri, organogrami i gjykatave, roli i Gjykatës së Apelit, Gjykatës Supreme të Kosovës, Gjykatës Kushtetuese, Këshillit Prokurorial të Kosovës, udhëzues praktik për shkrimet për mediet online, TV e Radio, njohja me seancat gjyqësore, trupin gjykues, fjalët përfundimtare gjatë një seance gjyqësore, llojet e aktgjykimeve dhe aktgjykimet e Gjykatës së Apelit.
Kurse në Kapitullin e tretë janë dhënë informacione më koncize për përkufizimet, termet dhe nocionet juridike, veprat penale të terrorizmit, krimeve të rënda si dhe nocionet më shpesh të përdorura në gazetari.