Me praninë e rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, profesorëve, studentëve, miqve dhe familjarëve, profesori, autori, gazetari dhe publicistit, Musa Sabedini, promovoi librin voluminoz “Gazetaria Online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit”, i cili është një libër profesional dhe kryesisht trajton gazetarinë online, etikën dhe sfidat e vetërregullimit.
Rektori Hajrizi foli rreth rëndësisë së botimit të librave të tillë profesional dhe akademik, si dhe dha perspektivën e tij mbi integrimin e inteligjencës artificiale në gazetari.
“Marrë parasysh kohën e teknologjisë dhe të digjitalizimit duhet të diskutojmë më thellë për këtë tematikë, ku në bazë të fokusit shihet se nuk ka shumë botime në drejtim të mediave online. Edhe pse në Kosovë kemi mbi 400 portale, në një mënyrë ose tjetër, ky koncept, ose ky libër do të shërbejë për të bërë një punë më të përgjegjshme”, ka thënë Rektori Hajrizi.
Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Ferid Selimi, në fjalën e tij përgëzoi autorin për guximin dhe vullnetin për t’u marr me krijimtari të tillë, e cila mund të jetë shpesh sfiduese.
“E përgëzoj për guximin që ka autori dhe profesori Musa Sabedini, për t’u marr me krijimtari të tillë. Të merresh me krijimtari apo hulumtime rreth problematikave të shumta është një çështje e ndërlikuar dhe profesori nuk po heziton asnjëherë”, është shprehur Selimi.
Recensenti Safet Zejnullahu tha se libri do të mbulojë një boshllëk të madh në studimet rreth medias së internetit në Kosovë.
“Libri “Gazetaria online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit”, i autorit Musa Sabedini, do të mbulojë një boshllëk të madh në studimet rreth medias së internetit në Kosovë. Përveç material i duhur për studentët e gazetarisë, ky libër do të shërbejë si bazë e mirë edhe për studimet e ardhshme në këtë fushë”, tha Zejnullahu.
Për librin folën edhe profesori Adnan Merovci dhe Bejtush Gashi, të cilët përgëzuan autorin dhe u shprehën se fusha e gazetarisë ka nevojë për botime të tilla për t’u zhvilluar në mënyrën e duhur.
Profesori, gazetari, publicisti, autori i librit “Gazetaria Online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit”, Musa Sabedini, falënderoi të gjithë të pranishmit në këtë promovim të këtij libri, njëherit rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizin, dekanin e Fakultetin Media dhe Komunikim, Ferid Selimi, recensentin Safet Zejnullahu, duke besuar se ky libër do të jetojë gjatë dhe do të shërbejë shumë për studentët, gazetarët dhe profesionistët e medias.
“Gazetaria Online në përgjithësi është një zhanër, që ka shumë sfida e telashe profesionale, të papritura, të panjohura dhe bukur delikate. Ata që nuk e kanë provuar, peshën e kësaj zeje dhe se kanë përjetuar rëndësinë që ka, e kanë të vështirë dhe të pamundur, madje të flasin apo debatojnë hapur për këtë zeje, tashmë fort të aktualizuar. Libri po vije si rezultat i njohjes së thellë, i përjetimit shpirtëror të botës digjitale dhe online, që sjell ky risk, sa delikat e sfidues, aq edhe i shpejt dhe dobiprurës për botën bashkëkohore”, tha Sabedini.
Ai tutje tha se libri ka për qëllim të shpërfaq të mirat, anët negative, anën pozitive që krijon ky gjigant brilant, që po depërton në çdo qenie krijuese, për shkak të shpejtësisë marramendëse, që ka dhe depërtimit në botën dhe intelektin e çdo njeriu.
Libri ka 493 faqe ndërsa botues është UBT.
Libri “Gazetaria online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit”, ka për synim t`i mësoj dhe edukojë jo vetëm studentët, por të gjithë ata që duan të jenë pjesë, e këtij rrjeti profesionistësh, që kanë përzgjedhur t`i përshtaten kodeve të etikës dhe standardeve profesionale të raportimit online.
Libri andaj merret, me të arriturat në këtë fushë, me përdorimin e uebsajtave të rinj dhe mundësinë, që ata kanë të punojnë, në këtë fushë, pa shpenzuar shumë.
Në Kapitullin e parë libri trajton historinë fillimisht të lindjes së gazetarisë online – digjitale, kompleksitetin e saj në kuptimin funksional dhe praktik, për teletekstin, videotekstin, për epokën elektronike dhe dixhitale, për gjuhën e përdorur në internet, për inovacionin dhe gazetarinë online, për lindjen e internetit që ka shpejtuar zhvillimin e medieve online ose mediet e reja, për World Wide Web, për web faqet, për internetin sot, për web 2.0, për strukturën e Web-it, për përmasat e World Wide Web, për Web 3.0, për internetin dhe raportimi për web, për stilin e të shkruarit në median online – web, për digjitalizimin e mediave që solli ndryshime të rëndësishme edhe për profesionin e gazetarit, për terminologjinë e re për median online, për karakteristikat, dhe parimet e Gazetarisë Online, për përparësitë dhe mangësitë e gazetarisë online, për disavantazhet dhe mungesa e fokusit në gazetari cilësore, për të ardhmen e medieve online, për standardet e reja të raportimit në gazetarinë online, për portalet dhe lexuesit atraktiv tek portalet, për artikullin Online dhe standardet e raportimit, për periudhën e vërtetë të gazetarisë online, për gazetaria online e cila kërkon besnikëri, saktësi, korrektësi dhe paanshmëri, për historinë e Gazetarisë Online, për Google, Yahoo, Hotmail, Facebook, Twiter, Instagram, Tik Tok, për bullizmin kibernetik, për websitet individuale të lajmeve, për krijimin e bllogjeve, për ndikimin e mediave sociale në blog, për portalin, përkufizimin dhe përgjegjësin, për rolin e administruesit të faqes në portal, për dizajnin dhe uebsajtet e lajmeve ditore, për reklamimi online – dhe ndikimin e tyre në gazetarinë online, për rolin e reklamës në tregun mediatik dhe në raportim, për artikullin e sponzorizuar, përkufizimin, karakteristikat dhe dizajnin, për rrezikun nga sulmet kibernetike etj.
Kurse në Kapitullin e dytë gjithashtu, kam trajtuar gjithçka që dihet mbi gazetarinë online, në Kosovë dhe rajon, për median online, që është trend i zhvillimeve të medieve në tërë botën, për vebsitet e para në Kosovë dhe kush konsiderohet nxitës i gazetarisë online, për lindjen e gazetarisë online në Kosovë dhe pse nuk dihet numri i saktë i portaleve, për gjendjen e portaleve dhe organizimin e brendshëm të mediumeve online në Kosovë, për faktin se a dihen dhe kush janë pronarët e portaleve në Kosovë, për transparencën e pronësisë së mediave në Kosovë, për portalet e vetëshpallura, të cilat vuajnë nga mungesa e profesionalizmit, për portalet në Kosovë, dëshmi dhe fakte, për portalet kryesore në qytetet e Kosovës, për ombrellën e gazetarisë online – KMShK, dhe çfarë duhet të dinë qytetarët, për ankesat ndaj portaleve, për rregullat e procedurës së KMShK, për ankesat e pranuara për shkeljet e Kodit të Etikës, për marketingun në portale, për financimin e mediave online, që është problemi më i madh në Kosovë, për gazetarinë qytetare, mediat sociale dhe platformat e tyre, për përparësitë dhe mangësitë e gazetarisë qytetare, për përgjegjësitë e gazetarisë qytetare, për mediet sociale, rrjetet sociale, ose mediat e gjeneratës së re, për rrjetet më të mëdha sociale në shifra, për mediat sociale dhe momentet e bukura, për zhvillimin e gazetarisë online në rajon, në Shqipëri, Serbi, Maqedoni e Mal të Zi, për uebsajtet individuale më të klikuara në Shqipëri, për portalet dhe mediet online, më me ndikim në Shqipëri, për vetërregullimin e mediave online në Shqipëri, për mediat Online në Bujanoc e Preshevë etj.
Kurse në Kapitullin e tretë kam trajtuar shqetësimet kryesore me të cilat preokupohet Gazetaria Online në Kosovë, duke filluar nga etika, vetërregullimi dhe sfidat, për integritetin dhe gazetarinë e pavarur, për etikën e gazetarisë, përkufizimin, historinë dhe rëndësinë e saj për mediet, për Kodin e Etikës së Gazetarisë, për ndershmërinë e gazetarëve që është kategori e cila kërkohet në mënyrë ultimative, për rëndësinë thelbësore të kodit të etikës për një gazetari të përgjegjshme, etikën e medias digjitale, problemet e veçanta etike, për praktikat dhe normat, për paanshmërinë, konfliktet e interesit dhe gazetarinë partiake, për etikën dhe legjislacionin në Kosovë, për rregulloret dhe ligjet për mediat në Kosovë, për ligjet mbi lirinë e informimit në Ballkan, dhe si prezantohet Kosova, për lirinë e shprehjes, për të drejtat e gazetarëve, siguria e tyre dhe mbrojtja e lirisë së medias, mëdyshjet e gazetarit në teren, për vetërregullimin për median online, lajmet e ngutshme dhe të pa verifikuara, për gazetarinë e “like”-ve që po e dëmton gazetarinë profesionale dhe shoqërinë, për gabimet dhe joshjen nga portalet kosovare, për efektet e pëlqimeve, në perceptimin e opinionit publik dhe opinionin personal, për shpifjen dhe fyerjen, për ligjin për shpifjen në internet dhe mediat sociale, nga këndi i avokatëve ndërkombëtar, për identifikimin e shpifjeve në internet, për gjuhën e urrejtjes, lajmet e rreme, dezinformimin dhe keqinformimin në mediet online në Kosovë, për vendosjen e aksesorëve për rrjetet sociale dhe lajmet e rreme, për bullizmin në Tik Tok, nga gjuha e urrejtjes deri tek tragjedia, për sfidat e medias online në Kosovë që janë të shumta, dhe cilat janë sugjerimet profesionale, për plagjiaturën, copy – paste, për të drejtat e autorit të mbrojtura nga ligjet, për transparencën e munguar të medias online në Kosovë, për risitë dhe kërkesat e gazetarisë online, për censurën dhe vet censurën tek gazetarët kosovar, për gazetarët kosovar, që punojnë pa kontrata pune, për Inteligjencën Artificiale dhe sfidat ndaj gazetarisë online etj.
Libri është edhe më i dobishëm, në një kohë kur në Kosovë e rajon ekzistojnë qindra portale, uebsajte, rrjete sociale e media tjera online, që veprojnë në mënyrë ligjore, e jo ligjore, me respektim të etikës, e me shkelje ekstreme të saj.
Ky libër nuk do të kishte vlerë profesionale, nëse nuk do e trajtonim me kujdes edhe vetërregullimin e portaleve në Kosovë, ose median digjitale, nga e cila më së shumti dëmtohet ose mund të pësoj dëme ligjore vet lexuesi i saj.
Libri rrëfen edhe për njohurit e shumta profesionale, që ndërlidhen me standardet e raportimit dhe kriteret që duhet të kenë, lajmet e shumta të plasuara në publik.
Me kujdes andaj në libër është shkruar edhe për të gjitha prapaskenat e këtij digasteri problematik dhe tejet misterioz, që në fakt as media, e gazetar me përvojë të gjatë, e kanë të vështirë të japin definicione, e vlerësime për të kuptuari e drejtë dhe të qartë, mbi rolin që duhet të ketë media online.
Libri pashmangshëm pasuron këtë gjuhë goditëse, pasuron mënyrën e komunikimit në raport me publikun, pasuron gazetar, redaktor e botues të portaleve, të cilët edhe mund të përfitojnë nga njohurit shkencore, e studimore të prezantuara mjeshtërisht në këtë libër, me literaturë të kompletuar dhe krahasuese me vendet e rajonit.
Një pjesë e librit i kushtohet edhe gjendjes së medieve online, në Maqedoni e Shqipëri, për të parë dallimet në funksion të ekzistimit dhe përvojave që kanë këto shtete fqinje.
Kuptohet që nuk pretendojmë të jemi fundi i këtij studimi ose prezantimi, sepse nuk mund ta dimë asnjëherë rrëfimin, pas 20 viteve të avancimit të kompjuteristikës, e cila pritet të sjell avancime, e risi edhe më të mëdha në fushën digjitalizues, e ku pashmangshëm bëjnë pjesë edhe mediet online, por shpresoj dhe mendoj, se libri është një ndihmesë dhe një shtytje për ata studiues të rinj, që e duan dhe e përjetojnë të bërit realitet Gazetarinë Online, me kritere, me standarde dhe etikë të avancuar.
Të gjithë këta kapituj në vete përmbajnë dilema dhe shqetësime të shumta profesionale, të cilat i kuptojnë dhe mund t`i zgjidhin apo përjetojnë, vetëm ata që e kanë provuar në kurrizin e tyre të jetuarit, me orë të tëra mbi laptopin inteligjent, që aq sa na gëzon, e lumturon, po aq na shkakton edhe telashe, strese e sfida, gjatë praktikimit të gazetarisë online.