UBT News

Në UBT me një aktivitet kulturor u shënua Dita e Shkollës dhe 7 marsi – Dita e Mësuesit

Me një aktivitet kulturor të përgatitur nga mësimdhënësit dhe nxënësit e Gjimnazit UBT dhe të Shkollës së Mesme të Mjekësisë, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, kanë shënuar Ditën e Shkollës dhe njëherit 7 marsin – Ditën e Mësuesit.

Në këtë përvjetor të Ditës së Shkollës, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit, duke vlerësuar angazhimin dhe përpjekjet e gjithsecilit për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj.

“Përgjatë 21 viteve, si UBT kemi tentuar që të krijojmë një ekosistem shumë të madh të dijes, ashtu siç edhe e kishin menduar paraardhësit tanë dhe mësuesit tanë që në vitet e hershme të themeleve të shkollës së parë shqipe. Dhe mendojmë se e kemi arritur me studimet akademike, por tani edhe me shkollën e mesme, gjë për të cilat ndihem shumë krenar dhe shumë i lumtur”, u shpreh rektori Hajrizi.

Drejtoresha e Shkollave të Mesme në UBT, Hajrije Devetaku u shpreh mirënjohëse dhe e lumtur për angazhimin e mësimdhënësve dhe vlerësoi punën dhe dëshirën e nxënësve për të arritur qëllimet e tyre.

“Në këtë ditë të veçantë për mësuesit dhe për shkollat shqipe në përgjithësi, shfrytëzoj rastin për të ju uruar të gjithëve këtë ditë, duke kujtuar angazhimin dhe përpjekjet e të gjithëve në drejtim të edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj. Në këtë ditë ne zotohemi për edukim cilësor dhe zhvillim të kompetencave gjithmonë duke pasur nxënësit dhe arritjet e tyre në qendër të vëmendjes”, ka thënë drejtoresha Devetaku.

Për të bërë edhe më të begatë kremtimin e ditës së kësaj vatre të diturisë, shkollat e mesme në UBT shpalosën një program të pasur arsimor, program ky i përgatitur nga nxënësit dhe mësimdhënësit.

Exit mobile version