UBT News

Në UBT mbahet një diskutim konstruktiv për biznesin dhe teknologjinë me Frank Hysën

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan u organizua një diskutim i hapur dhe mjaft konstruktiv rreth fushës së biznesit, inovacionit dhe të teknologjisë me Frank Hysën, drejtor i inovacionit në kompaninë e njohur të konsulencës “Capgemini” në San Francisco.

Ai u mirëprit nga rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili i uroi mirëseardhje në UBT dhe e falënderoi atë për gatishmërinë për të diskutuar me të pranishmit mbi këtë çështje.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Frank Hysa tha se biznesi po e përshpejton botën dhe vlerësoi rolin e UBT-së në raport me industrinë, duke vlerësuar lart ndikimin që ka UBT në këtë drejtim.

“Ju jeni në trajektoren e duhur në raport me industrinë. Hapat e ardhshëm gjatë pesë viteve të ardhshme janë sjellja e talenteve brenda atyre organizatave, duke u ofruar qasje në kërkimet tuaja, si dhe t’i shtyni njerëzit të krijojnë sa më shumë start-ups. Kështu që, ju duhet të mendoni se si munden organizatat edhe nëse janë të vogla të ndërtojnë kompani të reja, spin-offe të reja, të bëjnë eksperimente të reja në të gjithë ekosistemin e UBT-së”, deklaroi ai mes tjerash.

Rektori Hajrizi potencoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes bizneseve dhe ekosistemit të UBT-së, për të krijuar mundësi të reja dhe për të ndërtuar një koncept më të mirë për të gjithë ata që duan të përfshihen në fushën e biznesit dhe të teknologjisë.

“UBT duke pasur një lloj infrastrukture të mirë dhe me ekspertizë shumë të mirë, mendoj se duhet të kemi gjithnjë e më shumë ndikim. Pra, ne kemi ndikim në shoqëri, por fluksin e produktivitetit për start-ups mund ta shtojmë. Ne i ftojmë të gjitha bizneset të na bashkohen në ekosistemin e UBT-së, duke ofruar kështu një perspektivë më të mirë për ta dhe për të rinjtë”, u shpreh rektori Hajrizi.

Frank Hysa është drejtor i inovacionit në kompaninë e njohur të konsulencës “Capgemini”, konkretisht udhëheq departamentin që quhet shkëmbimi i inovacioneve të aplikuara në San Francisco, me fokus të krijohet një rritje më e madhe dhe kontributin në impaktin që ka Silicon Valley Ecosystem.

Ai ka fituar titullin Ph.D., mbi strategjitë e hapura të inovacionit dhe ka mbi 10 vjet përvojë në menaxhimin e inovacionit duke punuar me korporata, startup-e dhe ekosisteme teknologjike.

Ai është gjithashtu një mentor në disa nga komunitetet më të mëdha të startup-eve në botë, duke përfshirë institutin Founder dhe Startup Grind. Ka lindur në Shqipëri, teksa ka kaluar mbi 20 vjet nëpër Evropë dhe aktualisht me qendër në San Francisko, CA.

Exit mobile version