Në kuadër të aktivitetit më të madh akademik dhe kulturor në vend, Global UBT Fest 2025, është hapur zyrtarisht Akademia Verore e Fakultetit të Inxhinierisë së Mekatronikës, me temën qendrore: “Elektronika Energjetike dhe Ngasësit”.
Aktiviteti u zhvillua në Kampusin e UBT-së në Lipjan, ku morën pjesë studentë, profesorë, inxhinierë dhe të apasionuar pas teknologjisë dhe energjisë, për të diskutuar mbi trendet e fundit në fushën e elektronikës energjetike – një ndër fushat kyçe për të ardhmen e industrisë, automatizimit dhe energjisë së ripërtërishme.
Në fjalën hyrëse gjatë ceremonisë së hapjes, përfaqësues të fakultetit theksuan rolin kritik të inxhinierisë së mekatronikës në zhvillimet moderne teknologjike dhe industrinë 4.0. Ata nënvizuan rëndësinë që UBT i kushton përgatitjes profesionale të studentëve përmes edukimit praktik, laboratorëve të avancuar dhe shkëmbimit të përvojave në nivel ndërkombëtar.
Programi i Akademisë Verore nisi me ligjëratën: “Hyrje në elektronikën energjetike dhe komponentët kryesorë”, ku pjesëmarrësit u njohën me bazat dhe funksionimin e komponentëve më të rëndësishëm në qarkoret energjetike – përfshirë transistorët, diodat, rregullatorët dhe sistemet e menaxhimit të energjisë.
“DC/AC konvertuesit dhe aplikimet e tyre”, u trajtua përdorimi praktik i konvertuesve në sisteme industriale, energji të ripërtërishme dhe automjetet elektrike. U diskutua për rëndësinë e efikasitetit energjetik, menaxhimin e ngarkesës dhe integrimin në rrjete inteligjente.
Akademia Verore e Inxhinierisë së Mekatronikës në UBT synon të shërbejë si një platformë praktike dhe ndërdisiplinare ku studentët dhe profesionistët ballafaqohen me zgjidhje reale, pajisje moderne dhe risi që ndihmojnë në përgatitjen e gjeneratës së ardhshme të inxhinierëve.
Ky aktivitet është pjesë e qindra punëtorive, trajnimeve dhe ngjarjeve që po zhvillohen në kuadër të Global UBT Fest 2025, i cili përfshin fushat më të rëndësishme të arsimit, teknologjisë, shëndetësisë, kulturës dhe inovacionit.