Qindra gra kanë protestuar para një gjykate të Stambollit të mërkurën përpara seancës dëgjimore për mbylljen e një grupi të njohur të fushatës kundër femicideve (vrasjes së qëllimshme të grave apo vajzave për shkak se janë femra).
Duke valëvitur pankarta me sllogane të tilla si “Nuk do të ecësh kurrë vetëm” dhe “Ne do të ndalojmë vrasjet e grave”, protestuesit u mblodhën jashtë gjykatës kryesore të Stambollit për të demonstruar kundër një rasti për mbylljen e ‘We Will Stop Femicide Platform’, një nga organizatat kryesore feministe të Turqisë.
Një prokuror i Stambollit kishte ngritur një padi në prill, duke akuzuar grupin për “veprimtari kundër ligjit dhe moralit”.
‘We Will Stop Femicide Platform’ bën fushata kundër vrasjes dhe abuzimit të grave në shtetin kryesisht mysliman, por zyrtarisht laik.
Përfaqësuesja e grupit, Nursen Inal, e kritikoi gjyqin si të motivuar politikisht.
Shoqata ishte një kritike e zëshme e vendimit të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan vitin e kaluar për të tërhequr Turqinë nga Konventa e Stambollit, e cila u kërkon vendeve të vendosin ligje që synojnë parandalimin dhe ndjekjen penale të dhunës ndaj grave.
Konservatorët socialë në Turqi pretendojnë se konventa promovon homoseksualitetin dhe kërcënon vlerat tradicionale të familjes.
‘We Will Stop Femicide Platform’ ka organizuar mitingje të mëdha në mbështetje të konventës.
Grupi thotë se 160 gra u vranë në Turqi këtë vit, shumë prej vrasjeve të kryera nga anëtarët e familjes, dhe ky numër ishte 423 vitin e kaluar.
“Ne jemi nën presionin e qeverisë sepse ne publikojmë emër për emër vrasjen e çdo gruaje”, tha Inal.
“Kjo bie ndesh me tezën e qeverisë që thotë se vrasja e grave është në rënie”./UBTNews/