Anëtarët e Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Ditën Botërore të Shëndetësisë, kanë vizituar Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës dhe hapësirat ku janë të vendosur frigoriferët ku qëndrojnë vaksinat kundër COVID-19.
Nga aty u njoftuan se Kosova ka në stok mbi 800 mijë vaksina anti-COVID, ndërsa u apelua te qytetarët për t’u vaksinuar kundër pandemisë.
Kryetarja e komisionit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, Fatmire Kollçaku u shpreh se sot apelojnë te qytetarët që të marrin vaksinat anti-COVID, pasi tashmë ato janë dëshmuar se janë të sigurta.
Kollçaku gjithë procesin e vaksinimit e ka konsideruar si storie suksesi për vendin, ndërsa falënderoi profesionistët shëndetësor për punën në këto dy vite e më shumë kur jemi përballur me pandeminë COVID-19.
“Fatmirësisht jemi në një gjendje më të qetë epidemiologjike, pra një falënderim i madh për punën pa pushim por edhe me një mesazh nga ky vend se është evidente që kemi rënie të kërkesave për vaksinim, ndërsa vaksina ka mjaftueshëm dhe i ftojmë të gjithë qytetarët që nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë që të vaksinohet sepse vaksina është falas dhe është dëshmuar tashmë që janë të sigurta, është dëshmuar që kanë arritur t’i minimizojnë rastet e rënda dhe të vdekjes, prandaj nga ky vend avokojmë për vaksinim… vaksinimi është definitivisht një storie suksesi”, theksoi ajo.
Thirrjes për vaksinim kundër COVID-19 iu është bashkuar edhe drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, i cili konsideroi se procesi i vaksinimi është një storie suksese për Kosovën.
Ai tha se situata epidemiologjike është e qetë, por si IKSHP janë duke e përcjell situatën.
“Situata epidemiologjike është e qetë siç e dini dhe po presim duke e mbikëqyre që kjo situatë të vazhdoj si e tillë dhe në anën tjetër me një temë tejet specifike dhe të ndjeshme vaksinimin e popullatës kundër COVID-19, të cilin vaksinim në Ditën Botërore të Shëndetit mund ta konsiderojmë si storie të suksesshme për popullatën e Kosovës që kemi arritur objektivat tona dhe po vazhdojmë të punojmë me të njëjtën intesitet edhe më tutje në mënyrë që të realizojmë të gjitha objektivat e mbikëqyrjes të përgjithshme të COVID-19 deri në përfundimin definitiv dhe arritjen e pikësynimit të rastit zero”, tha ai.
Kurse, Fetije Feta, shefe e imunizimit në IKSHP dhe kryesuese e Komitetit për Vaksinim kundër COVID-19, tha se në Kosovë janë në stok mbi 800 mijë doza të vaksinës anti-COVID.
Ndërsa, deputeti nga PDK anëtar i këtij komisioni, Bekim Haxhiu kërkoi nga institucionet shëndetësore që ta kthej vëmendjen kah profesionistët shëndetësor.
“Ftoj institucionet shtetërore të kthejnë kokën kah profesionistët shëndetësor dhe të mbështesin ata sepse mbrojtja e shëndetit pa profesionistë shëndetësor nuk mund të arrihet, këtë na e kanë dëshmuarë gjatë kësaj pandemie të gjithë profesionistët shëndetësor… kemi ardhur të vizitojmë IKSHP por edhe për të përquar një mesazh që duhet të investohet më shumë në parandalimin e sëmundjeve sepse shumica e buxhetit të shtetit po shkon vetëm kah trajtimi dhe derisa sot morëm informacionin se kemi mbi 800 mijë doza të vaksinës në stok, një apel që qytetarët të vaksinohet sepse vaksinat janë të sigurta dhe është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga pandemia”, tha ai.
Në këtë vizitë nuk ishin të gjithë deputetët anëtarë të Komisionit për Shëndetësi, të pranishëm ishin kryetarja e Komisionit, Fatmire Kollcaku dhe anëtarët Bekim Haxhiu, Burim Meta, Mirsad Shkreta.