Sllovakia është vendi i dytë që ka filluar vaksinimin me vaksinën ruse, Sputnik V, ndonëse kjo vaksinë ende s’është aprovuar për përdorim nga rregullatorët evropianë.
Kryeministri i atëhershëm, Igor Matovic, bleu vaksinat Sputnik V në muajin mars, duke shpresuar se kjo do të ndihmojë në procesin e vaksinimit. Shteti me popullsi 5.5 milionë banorë bleu 200 mijë doza dhe po synon t’i blejë edhe 2 milionë.
Procesi i vaksinimit u vonua, megjithatë, midis një krize politike që shpërtheu sepse Matovic kishte nënshkruar marrëveshjen pa u këshilluar me partnerët e tij të koalicionit, të cilët kundërshtuan përdorimin e vaksinës para se ajo të miratohej nga Bashkimi Evropian, raporton Reuters.
Megjithatë së fundi kabineti qeveritar i dha dritën jeshile kësaj vaksine, posaçërisht për ata që e zgjodhën atë.
Sipas mediave sllovake, më shumë se 5 mijë njerëz brenda vendit janë regjistruar për të marrë vaksinën Sputnik V. Në total 77 mijë njerëz po presin për dozën e parë të të gjitha vaksinave.
Shteti fqinj, Hungaria ka vaksinuar 1 milion njerëz me të dy dozat e vaksinës Sputnik V, një e katërta e numrit të përgjithshëm për t’u vaksinuar në këtë vend.
Në Sllovaki mbi 1.8 milion persona kanë marrë së paku dozën e parë dhe më shumë se 950 mijë kanë marrë të dy dozat e vaksinave Pfizer/BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca.
Javën e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se Evropa ka shkuar me hapa të ngadaltë në miratimin e vaksinës antiCOVID të Rusisë, për shkak të siç tha ai, një “beteje për para” dhe se interesat komercialë po viheshin përpara mirëqenies së qytetarëve evropianë./UBTNews