Policia e Kosovës ka njoftuar se sot pas bastisjes në fshatin Shkabaj të komunës së Prishtinës, ka sekuestruar 30 pajisje për prodhimin e kriptovalutave.
Siç bëhet e ditur nga PK, Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht hetuesit e stacionit policor të Veriut pas marrjes së informatave në rrugë operative, kanë realizuar një operacion bastisjeje i cili ka rezultuar me gjetjen e aparaturave për prodhimin e kriptovalutave.
“Operacioni është zhvilluar në një lokal në fshatin Shkabaj të komunës së Prishtinës, me ç’ rast janë gjetur dhe sekuestruar katër (4) riga me gjithsej tridhjetë (30) pajisje për prodhimin e kriptovalutave, të cilat ishin të kyçura dhe funksionale”, ka bërë të ditur policia
PK ka shtuar se përveç njoftimit të zyrtarëve të ATK-së në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe zyrtarët e KEDS–it, si dhe zyrtarët doganor për të proceduar më tej me rastin.
“Në konsultim me Prokurorin e Shtetit rasti është iniciuar “ Prodhim i ndaluar”, theksohet në komunikatë.