I ngarkuari me Punë në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, Christian Böttcher, është takuar të mërkurën me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi.
Ambasada bënë të ditur se Böttcher ka vlerësuar punën e gjykatës dhe rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Gjermanisë për punën e gjykatës, teksa ka bërë thirrje për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetueses.
Ambasada Gjermane kërkon nga të gjithë aktorët politikë të zbatojnë vendimet e Gjykatës, pasi siç thuhet ky është një detyrim kushtetues për deputetët, për konstituimin e Kuvendit.
“Të gjithë aktorët politikë duhet të zbatojnë vendimet e Gjykatës – ky është një detyrim kushtetues për deputetët. Mosveprimi jo vetëm që zgjat, por edhe thellon krizën politike, duke dëmtuar vendin. Siç u tha më parë: Është koha e duhur për ta vënë vendin në vend të parë, jo politikën partiake”, thuhet në njoftim.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë në pritje të publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me seancën konstituive.
Kushtetuesja më 30 shtator ka dalë me një njoftim ku ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar, pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.
Vendimi i Kushtetueses ka ardhur pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.
Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e Kuvendit të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, por pa specifikuar pasojat juridike në rast se nuk kompletohen trupat e legjislativit./D.B/KP