Në kuadër të konferencës së tretë “Ekonomia shpëton Luginën”, të organizuar nga Unioni i Afaristëve për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të premten në Preshevë është vendosur gurthemeli i projektit ekonomik “Hambari i Luginës” pika grumbulluese për produktet bujqësore.
Ky projekt kap vlerën prej mbi 720 mijë eurosh dhe bashkon 100 aksionarë shqiptarë nga mbarë rajoni dhe diaspora.
Sipas organizatorëve, pika grumbulluese do të shërbejë për mbledhjen e të gjitha produkteve bujqësore, të cilat do të klasifikohen dhe më pas do të eksportohen në vendet perëndimore.
Kryetari i Unionit të Afaristëve për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Xhelal Mehmeti, tha se ideja për këtë projekt ka ardhur nga konkluzionet e konferencave të kaluara, që kishin për qëllim zhvillimin e bujqësisë.
“Nuk mund të bënim zhvillim të bujqësisë po të mos e kishim një pikë grumbulluese ku bëhet grumbullimi i produkteve dhe madje eksporti për në vende të caktuara. Falë miqve tanë, falë rrjetit të bizneseve në diasporë, kemi arritur të kontaktojmë disa distributorë dhe jemi përcaktuar për disa produkte me sasi të caktuara. Me bizneset në Luginë jemi konsultuar”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, e vlerësoi këtë projekt si një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik të rajonit.
“Sot është një ditë shumë e veçantë për ne, për shkak se nuk po vendoset thjesht në mënyrë simbolike, por po vendoset një gurthemel i një vizioni që i ka munguar Luginës. Kjo pikë grumbulluese është diçka që do t’u mundësojë bujqve tanë të trajtohen siç e meritojnë dhe produktet e tyre të ruhen këtu, me mundësi që të vlerësohen nga blerësit dhe konsumuesit në të ardhmen. Ne si komunë jemi të gatshëm ta ndihmojmë këtë projekt, të bashkëpunojmë dhe ta zhvillojmë”, tha ai.
Biznesmeni Albin Hetemi u shpreh se ky projekt do të krijojë mundësi të reja për bujqit e Luginës.
“Për mua është një ditë e veçantë sepse sot në këtë pikë grumbulluese, të gjithë bujqit do ta kenë mundësinë për plasmanin e produkteve të tyre. Unë do të mundohem që këtë objekt shumë shpejt ta rregullojmë dhe ta fusim në funksion, ku bujqit tanë t’i sjellin produktet e veta sa më shpejt,” tha ai.
Po ashtu, sot nga ora 10:00 në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë mbahet Konferenca e III-të Ekonomike “Ekonomia shpëton Luginën e Preshevës”, ku do të ketë disa panele diskutimi me pjesëmarrje të sipërmarrësve nga të gjitha trojet shqiptare./S.K/EO/
