Me rastin e Pashkëve Katolike, Imzot Dodë Gjergji duke uruar besimtarët ka dhënë edhe mesazh paqeje. Ai ka ftuar të gjithë njerëzit, që pavarësisht bindjeve të tyre fetare, pozicioneve shoqërore, përkatësive etnike apo përgjegjësive politike që kanë, të bëjnë ç’është e mundur, që të mbizotërojë paqja e vërtetë, harmonia, barazia dhe toleranca fetare.
“Për të mbërri këtë gjë, është e domosdoshme që sa më parë të arrihet pajtimi i gjithmbarshëm mes nesh. Ashtu që, si dikur edhe tani, të dimë të përballemi bashkërisht me të sotmen dhe ta ndërtojmë të ardhmen duke iu përshtat rrethanave të reja që imponohen. Në harmoni të plotë me ata që na mundësuan lirinë që gëzojmë dhe në përputhje të plotë me synimet e të parëve tanë. Kjo, jo vetëm që është e domosdoshme, por është edhe e drejtë, të pajtohemi për të mirën e përbashkët mes nesh dhe me të tjerët. Do të ishte vërtetë e pa falshme, që ne, akoma pa i shijua mirë frytet e paqes dhe shijen e lirisë, t’i kthehemi tmerrit dhe trishtimit të luftës”, ka thënë ai.