Macet e egra skoceze u liruan në malësitë skoceze javën e kaluar – lëshimi i parë i këtij lloji në Britani.
Macet ishin trajnuar dhe u lëshuan nga Saving Wildcats, një projekt evropian i udhëhequr nga Shoqëria Zoologjike Mbretërore e Skocisë (RZSS). Nuk u zbulua numri i saktë i maceve që janë lëshuar, por u tha se gjithsej 22 mace të egra do të prezantoheshin gjatë muajve të ardhshëm.
“Është një moment historik dhe vërtet emocionues”, thotë Dr. Helen Senn, drejtuese e projektit për Saving Wildcats. Lëshimet janë “shumë të rëndësishme, sepse kjo specie është në prag të zhdukjes”, thotë ajo.
Kjo lloj mace ndonjëherë quhet edhe “Tigri i Malësisë”. Sondazhet e kryera nga viti 2010 deri në 2013 vlerësuan se kanë mbetur vetëm 115 deri në 314 mace të egra në natyrë dhe një rishikim i vitit 2019 arriti në përfundimin se “nuk ka mbetur asnjë popullatë e qëndrueshme macesh të egra askund në Skoci”.
Lloji mbërriti në Britani nga Evropa rreth 9000 vjet më parë.
Macet janë rritur në një zonë të qetë që është e mbyllur për publikun e gjerë. Kotelet u strehuan me prindërit e tyre deri në nëntë muaj, më pas u transferuan në ambiente më të mëdha për t’iu nënshtruar përgatitjeve përfundimtare përpara lirimit. Rreth 60 mace do të lirohen gjatë tre viteve të ardhshme.
Për të imituar kushtet në natyrë, rojtarët ndryshuan kohën e ushqimit dhe vendosën ushqimin në vende të ndryshme që macet ta gjenin./UBTNews/