UBT News

Në përfundim të Samitit të SEECP, Begaj kritikon sanksionet ndaj Kosovës: “Janë të padrejta dhe ndëshkojnë qytetarët”

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shprehur shqetësimin për sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.

Deklarata e tij u bë pas përfundimit të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ku Begaj konfirmoi se Serbia dhe Bosnja e Hercegovina refuzuan të nënshkruajnë deklaratën e përbashkët të Tiranës, ndërsa të gjitha vendet e tjera anëtare e miratuan atë.

“Bashkëpunimi rajonal për ne është i rëndësishëm, sepse çdo zgjidhje paqësore dhe përmes dialogut sjell zhvillim, stabilitet dhe paqe në rajon,” tha Begaj. Ai vlerësoi miratimin e “Deklaratës së Tiranës” si një hap domethënës, edhe pse Serbia dhe Bosnja e Hercegovina refuzuan ta mbështesin.

Në fjalën e tij, Presidenti shqiptar vuri theksin tek nevoja për të hequr sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, duke thënë se ato nuk i drejtohen politikanëve, por qytetarëve, të cilët po privohen nga shërbimet publike cilësore.

“Është një çështje që duhej zgjidhur shumë kohë më parë. Nesër është shumë vonë,” tha ai.

Begaj gjithashtu komentoi mbi pretendimet e Beogradit dhe Sarajevës për çështje sigurie, duke theksuar se koncepti i sigurisë duhet të kuptohet si universal.

“Siguria nuk është vetëm brenda shtëpisë sonë. Çdo zhvillim global, si agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, ka pasoja për të gjithë botën,” tha presidenti.

Në përmbyllje, Begaj ritheksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal dhe vlerave evropiane si rruga e vetme drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme për rajonin.

Exit mobile version