UBT News

Në  Pejë e në Obiliq, disa persona intervistohen për manipulim me vota

 

Prokuroria Themelore e Pejës ka autorizuar sot Policinë e Rajonit të Pejës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me procesin e numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike.

“Autorizimi i parë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ndërsa veprimet e mëtejshme hetimore po ndërmerren me autorizimet e prokurorëve të caktuar nga Kryeprokurorja, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë për media.

Ndërkaq, nga sot ka filluar procesi i intervistimit të komisionarëve lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike, me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave të këtij rasti.

Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësve.

Njëjtë, edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës njofton se ka autorizuar Policinë e Kosovës në Prishtinë për grumbullimin dhe sigurimin e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Më 04.02.2026, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për intervistimin e disa personave të dyshuar në Komunën e Obiliqit, lidhur me dyshimet për keqpërdorime apo falsifikime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërsa, pas  intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë duke vazhduar me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, thekson se mbeten të përkushtuara në luftën e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

Lidhur me dyshimet keqpërdorim të votave, kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Petrit Kryeziu, më 18.01.2026, autorizoi Policinë e Kosovës që të identifikojë personat përgjegjës, të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.

Për shkak të manipulimit me vota në Prizren, ishin lëshuar 109 vendime për ndalime 48 orëshe nga Prokuroria Themelore e Prizrenit. Ndaj 23 prej tyre ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Ndërsa, veprime hetimore janë ndërmarrë edhe në komunat e tjera.

E.A./D.L.

Exit mobile version