Mes emocionesh të shumta, shumë studentë të rinj të vitit akademik 2023/24, sot u mirëpritën në institucionin lider të arsimit të lartë në Kosovë – UBT.
Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi u shprehu mirëseardhje studentëve të rinj, duke u premtuar mbështetje të parezervë dhe duke u dëshiruar suksese në vitet e studimeve dhe përmbushjen e dëshirave dhe qëllimeve të tyre.
Ai u kujtoi studentëve të rinj se bashkë me stafin akademik janë të përkushtuar me plotësi ndaj suksesit të tyre dhe se së bashku, do të arrijnë lartësinë e dëshiruar në edukimin dhe karrierën e tyre të ardhshme.
“Mendoj që ky ambient ju krijon mundësitë t’i realizoni ëndrrat tuaja. Edhe ne kemi qenë studentë sikur ju, por një duhet ta keni të qartë se bashkë me të gjithë stafin do të arrini atje ku dëshironi. Me rëndësi është që mos të keni hezitim për profilin e përzgjedhur për të studiuar, sepse të gjitha profilet momentalisht kanë kërkesa për kuadro të mira dhe profesionale. Ju këshillojë që ta merrni seriozisht edukimin, të punoni bashkë me ne në këto vitet e studimeve, sepse vërtetë nëse keni kompetenca do të keni një të ardhme shumë të ndritshme”, tha Rektori Hajrizi.
Mes tjerash, Rektori Hajrizi foli edhe për pozicionin e UBT-së në arenën ndërkombëtare, duke potencuar rangimet e fundit për inovacion, teknologji dhe ndërmarrësi.
“UBT ka një lidership në arsimin e lartë, jo vetëm në Kosovë. Në vitet e fundit është ranguar në një prej universiteteve më të mira në botë për shumë funksione dhe vlera, si për inovacion, teknologji dhe ndërmarrësi. Këto konfirmojnë se këtu është duke u punuar dhe është duke u zhvilluar një proces shumë intensiv dhe kualitativ”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Studentja e Shkenca Politike, Furtuna Gubetini inkurajoi studentët të shohin rrugëtimin në universitet si një udhëtim të pasur me njohuri, sfida, dhe vlera që do të ndikojnë në të gjithë jetën e tyre.
“Ky udhëtim për ju do të ju sjellë njohuri të reja, sfida dhe vlera që do të ju përmbushin gjatë gjithë jetës. Ky fillim i ri për ju do të jetë dije intelektuale, por gjithashtu do të keni një eksperiencë emocionale gjatë gjithë jetës. Universiteti është më shumë sesa një institucion arsimor, është një vend ku ju do të krijoni miqësi të reja, perspektiva të reja, dhe përjetime të shumta që do t’i kujtoni gjithmonë”, tha Gubetini.
Për plotësimin e këtij organizimi madhështor dhe në pritje të studentëve plot emocion dhe entuziastë për një fillim të ri akademik dhe profesional, u përkujdes Fakulteti Muzikë Moderne, Prodhimi Digjital dhe Menaxhimi në UBT, me studentët e talentuar Auron Deva dhe Meriton Hera.