Në një ceremoni madhështore në Kampusin Inovativ të UBT-së në Lipjan u bë hapja e Kongresit të Tretë të Forenzikës Kosovë-Turqi. Në hapjen e këtij kongresi morën pjesë personalitete të rëndësishme, si Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe përfaqësues nga institucione prestigjioze si Universiteti “Izmir Katip Çelebi”, Universiteti “Yozgat Bozok”, Ambasada e Turqisë në Kosovë, Qeveria e Kosovës, si dhe institucione të tjera vendore.
Para të pranishmëve, rektori i UBT-së, Prof.Dr. Edmond Hajrizi theksoi rëndësinë e këtij kongresi për UBT-në dhe institucionet e të dyja vendeve në përgjithësi. Ai potencoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në këtë drejtim edhe me shtetet e tjera.
“Kjo traditë e cila ka ndodhur edhe njëherë paraprakisht që të mbahet mes Kosovës dhe Turqisë, të vazhdojë si format tradicional për të vazhduar me kongrese të tilla edhe në vitet tjera në Kosovë, në Turqi dhe mendojmë që në të ardhmen të vendosen edhe shtetet tjera fqinje sikurse Shqipëria, që të krijojmë kështu një miqësi të mirë. Mendoj se shkenca e Forenzikës është një dimension shumë interesant dhe kompleks. Ka edhe një ndërlidhje apo më mirë të themi një ndikim edhe nga teknologjitë e reja që po zhvillohen tash e tutje. Dhe nga ky kompleksitet dhe ky nivel kërkohet edhe një qasje më e madhe akademike dhe shkencore, dhe një qasje edhe më e mirë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në nivelin nacional dhe ndërkombëtare, në mënyrë që ne të krijojmë metoda më të mira, qasje më të mira, vegla më të mira, involvim të teknologjive të avancuara sa më mirë dhe sa më lehtë, në mënyrë që cilësia e shërbimeve dhe i gjithë spektri i Forenzikës, të trajtohet apo punohet sa më mirë”, deklaroi ai.
Kongresi synon të shërbejë si platformë për ndarjen e njohurive dhe përvojave të fundit në forenzikë, duke përfshirë teknikat më të reja të analizave kriminalistike./UBTNews/