UBT News

​Në mungesë së pajisjes me shkresa të lëndës, shtyhet seanca për vrasjen e Liridona Ademajt

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot pritej të mbahej shqyrtimit fillestar ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt, të cilët akuzohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023. Ndërsa, me vendim të kryetares së trupit gjykues, Fatime Dermaku, seanca u shty për 31 janar 2025, me fillim nga ora 11:00.

Deri te shtyrja e seancës së shqyrtimit fillestar kur të akuzuarit pritej të deklaroheshin rreth fajësisë, erdhi pasi që avokati i Kushtrim Kokallës, Ndrec Dodaj dhe ai i Tom Dodajt, Agron Kuçi, nuk ishin pajisur me shkresa të lëndës.

Të akuzuarit në gjykatore u sollën nën masa të rrepta të sigurisë.

Përveç të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre, në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe familjarët e të ndjerës, Liridona Ademajt.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq tha se të gjitha palët janë pajisur me shkresat e lëndë, përveç avokatit, Agron Kuçi mbrojtës i Tom Dodajt.

Sipas saj, avokati Kuçi nuk ka pas qasje në email.

“Të gjithë mbrojtësve të të akuzuarve u kemi dërguar shkresat e lëndës, vetëm një problem ka qenë me avokatin, Agron Kuçi të cilit disa herë ia kemi dërguar shkresat e lëndës me email, mirëpo na është lajmëruar se emaili i tij është i mbushur. Jemi dëgjuar nëpërmjet telefonit dhe i kemi thënë se i kemi dërguar shkresat dhe para seancës na ka lajmëruar se nuk ka mund ta hap emailin. Mirëpo, kopjen e aktakuzës ia kemi dorëzuar në formë fizike. Dhe sa i përket të pandehurve të tjerë të gjithë i kanë pranuar shkesat e lëndës”, tha ajo.

Ndërsa, avokati i të akuzuarit, Kushtrim Kokallës, Ndrec Dodaj tha se sot nuk janë plotësuar kushtet për t’u mbajtur kjo seancës, pasi sot 10 minuta para se të nis seanca e sotme është pajisur me shkresat e lëndës.

“Gjyqtare, unë sot i ka pranuar shkresat e lëndës 10 minuta para se të hyjë në sallë, është fakt se më datën 22 apo 23 më ka thirr dikush prej Prokurorisë unë kam qenë në gjykim dhe nuk kam pas mundësi me ardhur deri në Prokurori, një koleg i imi Skënder Gojani më duket i ka marrë dhe mi ka dorëzuar sot, unë nuk e di përmbajtën e atyre CD se çka ka dhe në këtë situatë çfare jemi nuk kam arritur me lexua as aktakuzën. Në këtë situatë çfare jemi nuk mund ta kryej obligimin tim ndaj klient…As nuk jam në gjendje me këshillua klientin tim qysh me u deklaruar as nuk jam në gjendje as vetë me deklaruar pa e ditur gjendjen e provave”, thotë Dodaj.

Më pas prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq tha se avokati i Granit Plavës, Skënder Gojani i ka marrë shkresat e lëndës edhe për avokatin, Ndrec Dodaj.

Ajo tha se për këtë prokuroria ka dëshmi, dhe nuk e dinë marrëveshjen në mes të dy avokatëve.

“Normal që është ftuar ka thënë se është në seancë, pas kësaj më 22 janar 2025 në ora 11:35 avokati Skënder Gojani e ka marrë lëndën me pajtimin e Ndrec Dodaj për të gjithë lëndën gjë që vërteton edhe kjo shkesë e prokurorisë. Çfarë ka qenë marrëveshja avokatit Ndrec Dodaj dhe Skëndert Gojani këtë nuk e di”, tha ai.

Se shkresat e lëndës i ka marrë avokati i Plavës, Skënder Gojani e pranoi edhe vetë ai.

Edhe avokati i Tom Dodajt, Agron Kuçi tha se për shkak të telasheve me emailin e tij, sot është pajisur me aktakuzën.

“Është e vërtet që unë kam pas probleme dhe vazhdoj me pas probleme me email, sot e kam marrë aktakuzën shkresa tjera të lëndës, CD apo ndonjë gjë tjetër nuk kam. Ndonëse i mbrojturi im gjatë gjithë procedurave penale ka bashkëpunuar dhe ka pranuar fajësinë, mirëpo sot si mbrojtje nuk mund të deklarohem për pranimin e fajësisë“, theksoi ai.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku u shpreh se shtyrja e seancës së sotme të shqyrtimit fillestar për vrasjen e Liridona Ademajt nuk do të ndodh më.

Ajo tha se kjo sjellje e mbrojtëse të të akuzuarve, Kokalla dhe Dodajt tregon seriozitetin e tyre.

“KKGJ ia tërheq vërejtjen mbrojtësit të të pandehurit Kushtrim Kokallës avokatit, Ndrec Dodaj që të mos ta pengoj kryetaren e trupit gjykues të udhëheqë seancën konform dispozitave ligjore është vërejtje me shkrim. Ju e dini që kemi 15 ditë afat për të mbajtur shqyrtimin fillestar të pandehurit janë në paraburgim ne nuk mund t’i shkelim dispozitat ne jemi gardian të mbrojtjes së të drejtave të të pandehurve në proces penal…..është kërkuar një eksternal disk që duhet ta sjellni ju për t’ua bart të gjitha provat me u vendos të gjitha ndërhyrjet për hir të korrektësisë, nuk ka ndërprerje, nuk keni shkua me i marr me kohë… neve nuk mund të vazhdojmë me këtë shqyrtim fillestar meqenëse kemi pengesa dëmtohet mbrojtja e të pandehurve meqenëse avokatët, Ndrec Dodaj dhe Agron Kuçi.. Nuk është krejt pak me qenë mbrojtës jemi pjesë e sistemit dhe me thënë nuk punon email ju e dini që mbrojtja e të pandehurve për veprën penale që akuzohet i mbrojturi juaj parashihet një dënim mjaftë i lartë…. e mos të flasim për avokatin Dodaj që përfaqëson Kushtrim Kokallën për çfarë dënimi parashihet kjo tregon vetëm seriozitetin e juaj për mbrojtje”, theksoi ajo.

Të pajtimit që të vazhdohet me shqyrtimin fillestar ishin mbrojtja e Naim Murselit dhe Granit Plavës, ndonëse deklaruan se disa CD nuk janë hapur.

Për prishje të rendit dhe qetësisë, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku e dënoi me 500 euro gjobë avokati, Ndrec Dodaj.

Gjyqtarja Dërmaku kërkoi falje edhe për mediat të cilat nuk arritën të jenë të pranishme në sallë, ndonëse interesimi i tyre ishte i madh.

Sipas tij, për shkak të hapësirës së sallës në gjykatë nuk kanë arritur të gjitha mediat të jenë të pranishme.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt. Të akuzuarit ngarkohen për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

Sipas aktakuzës Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar që vrasja të kryhej nga i akuzuari Granit Plava me marrëveshje që bashkëshorti i Liridona Ademaj, Naim Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

Exit mobile version