Ikona e ekranit amerikan, aktori Bruce Willis, përballet me një përkeqësim të dukshëm të gjendjes shëndetësore si pasojë e demencës frontotemporale, formë agresive e çrregullimit neurodegjenerativ që prek pjesët e trurit për sjelljen, komunikimin dhe lëvizjen.
Sipas burimeve, Willis nuk është në gjendje të flasë dhe ka humbur aftësinë për të lexuar, ndërsa përballon edhe vështirësi të konsiderueshme në ecje.
Zhvillimet vijnë pasi aktori u diagnostikua me afazi më 2022, një gjendje që ndikon në aftësinë për të komunikuar para se diagnoza të përditësohej në demencë frontotemporale në fillim 2023. Gjatë viteve 2023-2024, burime të ndryshme raportuan se ylli i “Die Hard” dhe “Pulp Fiction” ishte bërë kryesisht jofjalor dhe kishte ndaluar së lexuari. U raportua se Willis po përballet me sfida të theksuara motorike, megjithëse familja nuk ka dhënë detaje specifike për gjendjen e tij fizike në muajt e fundit.
Në një deklaratë të publikuar në prill 2025, familja e Bruce Willis, përfshirë bashkëshorten e tij Emma Heming Willis dhe vajzat e tij konfirmoi se sëmundja e tij vazhdon të jetë progresive, por theksuan se në atë moment gjendja ishte e qëndrueshme. Ata nënvizuan rëndësinë e unitetit familjar dhe përkushtimin e tyre të palëkundur për të qenë pranë aktorit gjatë kësaj periudhe të vështirë.
“Bruce po përballet me këtë sfidë me dinjitet e i rrethuar nga dashuria e familjes së tij. Ne jemi të vendosur ta mbështesim në çdo hap të rrugëtimit,” – u shpreh familja në deklaratë.
Megjithë përkeqësimin e dukshëm të gjendjes së tij, nuk ka pasur ende ndonjë konfirmim zyrtar për ndonjë regres të mëtejshëm shëndetësor përtej asaj që është bërë publike deri tani. Bruce i njohur për rolet e tij ikonike në filmat aksion dhe dramatikë, është një nga figurat më të dashura të kinemasë amerikane.